E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Do të dyfishojmë prodhimin e naftës

Qeveria premton se prodhimi i naftës në vend do të dyfishohet brenda 5 viteve të ardhshme. Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, u shpreh i bindur se investimet e huaja në fushën e naftës do të nxisin rritjen e prodhimit të brendshëm me ritme të larta. Genc Ruli deklaroi se Shqipëria është shndërruar tashmë në një vend tërheqës për investimet në energjetikë. Kjo reflektohet edhe në numrin e shumë shoqërive ndërkombëtare që janë afruar në vend gjatë viteve të fundit. Shqipëria prodhoi gjatë vitit të kaluar rreth 670 mijë tonë naftë bruto. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie prodhohet nga shoqëria kanadeze "Bankers Petroleum", e cila ka me koncesion vendburimin e Patos Marinëz.

Eksporti

Gjatë vitit të kaluar, prodhimi i naftës bruto në vend llogaritet në rreth 670 mijë tonë. Eksportet e naftës për vitin 2007 arritën në 82 milionë dollarë ose 2.5 herë më shumë se një vit më parë. Sipas ACIT, në sasi u eksportuan 257 mijë tonë naftë e papërpunuar, me një rritje prej 91 përqindësh krahasuar me vitin 2006. Pjesa dërrmuese e eksportit shkon në drejtim të Italisë, e cila për vitin e kaluar bleu nga Shqipëria afro 47 milionë dollarë, ose rreth 58 për qind të totalit. Vendin e dytë e mban Turqia, me një total eksporti prej 12 milionë dollarësh dhe pas saj vjen Kosova, me një total prej 7.6 milionë dollarësh. Eksportet e naftës, sipas ACIT, në drejtim të Italisë kanë njohur një rritje për vitin 2007, krahasuar me 2006-n, me rreth 164 për qind, ndërsa në krahasim me vitin 2003 rritja e eksporteve në drejtim të këtij vendi shkon në 2772 për qind. Por, megjithatë vendi ende ka deficit në shkëmbimet e naftës. Sipas të dhënave zyrtare, importet e naftës janë aktualisht 4.3 herë më të larta se eksportet.

Rezervat

Studimet e fundit po nxjerrin gjithmonë e më shumë në pah rezervat e mëdha të naftës në Shqipëri. Një studim i bërë për llogari të kompanisë "Manas Petroleum" nga amerikanët e "Gustavson Associates LLC", ka arritur në përfundimin se Shqipëria zotëron më shumë se 57 për qind të rezervave të naftës që gjenden në Ballkan. "Nga 345 milionë fuçi naftë që gjendet në Ballkan, 198 milionë prej tyre ndodhen në Shqipëri", thotë studimi. Kjo është naftë e rikuperueshme, ose e thënë ndryshe naftë që me teknologjinë aktuale mund të nxirret nga nëntoka. Sipas të dhënave mendohet se rreth 100 milionë e kësaj rezerve ndodhet në vendburimin e Patos Marinëz, që është dhe fusha naftëmbajtëse më e madhe në Evropën Kontinentale. Që nga viti 1990, vendi është ndarë në disa zona, të cilat ju janë dhënë për shfrytëzim kompanive të huaja. Por, nga një vend eksportues deri më 1989-n, tashmë Shqipëria detyrohet të importojë 73% të nevojave të saj për naftë. Kjo edhe për arsyen se dy vitet e fundit një pjesë e mirë e prodhimit vendas po ikën për eksport.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›