Bumçi: Prokurorisë i intereson kostoja politike e PD-së, jo hetimi
Afrimi i qëllimtë i çështjes “Basha” me fushatën elektorale nga prokuroria tregon qartë se përdorimi I organit të akuzës është një sjellje sa e turpshme, aq dhe e rrezikshme. Në këtë mënyrë akuzojnë demokratët prokurorinë e Ina Ramës e cila sipas PD-së, kërkon t’i japë kosto politike mazhorancës dhe nuk i intereson zbardhja e së vërtetës. Demokratët fajësojnë prokurorinë për varësinë e krijuar ndaj opozitës dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Sipas PD-së, organi i akuzës është shndërruar në një instrument politik në duart e kryesocialistit Edi Rama. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, akuzoi dje se prokuroria është e pavarur nga mazhoranca dhe qeveria, por nuk është e pavarur nga segmente të tjera, si opozita dhe kryetari i saj Rama". Nisur nga akuzat ndaj ish-ministrit të PPTT-së, Lulzim Basha, për abuzime me fondet publike në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, deputeti Bumçi u ndal tek pozicioni i organit të prokurorisë në këtë çështje. Z. Bumçi pohoi se çdo akt për ndërtimin e rrugës është një vendim kolektiv i qeverisë. Bumçi vuri në dukje se mazhoranca është për hetimin e rrugës dhe shtetin ligjor, por nuk mund të mbajë gojën mbyllur kur shikojmë se si prokuroria është kthyer në një instrument politik", - tha deputeti i PD-së. Ai pohoi se ka kaluar faza kur institucionet e drejtësisë përdoreshin politikisht. Sipas tij, "Gjykata Kushtetuese ka kthyer në këta tre vjet më shumë ligje sesa ka kthyer në tetë vite, që është shenjë e pavarësisë dhe jo e kontrollit ndaj institucioneve". Në këtë mënyrë hetimet për rrugën Durrës-Kukës, veprën e shekullit për shqiptarët, kanë thelluar edhe më tepër konfliktin midis prokurorisë dhe mazhorancës. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë prokurorinë se po tregon një orientim të pastër politik. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, solli në vëmendje se pak ditë më parë gjykata rrëzoi vendimin për moskompetencë në gjykim kur bënë kërkesë z. Toma dhe z. Teliti. “Gjykata dhe ligji e dinë mirë se veprimet procedurale zhvillohen në shkallën e parë të gjykatës. Bumçi u shpreh i bindur se prokuroria i ka zvarritur hetimet përtej çdo logjike. Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, zvarritja e hetimeve cenon rëndë të drejtat e njeriut, sepse nuk mund të mbahet pafundësisht një person nën hetim, prandaj ligji shpreh dhe afate kohore kur mund të përfundosh një hetim”, - deklaroi z. Aldo Bumçi. Ai akuzoi më tej se organi i akuzës po përdoret politikisht për ta zvarritur këtë çështje deri në afrimin e zgjedhjeve. Bumçi bëri të qartë se një person, që në rastin konkret është Basha, rri një vit pa imunitet dhe prokuroria nuk merr asnjë masë për të mbyllur hetimet.