E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli nga Londra: Më 10 dhjetor, Elizabeta e Dytë do të firmosë NATO-n

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi nga Britania e Madhe, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, se ka marrë garanci se në datën 10 dhjetor, Mbretëresha Elizabeta e Dytë do të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë vizitës së saj në Londër, Topalli pati takime të nivelit të lartë. Ajo u takua me një pjesë të ministrave të kabinetit të Braunit si dhe u takua me deputetin Xhoh Grogan, përfaqësues i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Angli. Grogan vlerësoi reformat në Shqipëri. “Vitin tjetër në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet politike dhe unë shpreh bindjen se ato do të zhvillohen sipas standardeve demokratike evropiane. Ka një rritje të zhvillimit ekonomik dhe mendoj se ka një perspektivë për praninë e biznesit britanik dhe atij evropian në Shqipëri. Gjithashtu, vlerësoj se anëtarësimi në NATO është një shenjë shumë pozitive dhe mendoj se Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes evropiane”, - deklaroi Grogan. Nga ana e saj, Topalli vlerësoi marrëdhëniet që ka Shqipëria me Britaninë e Madhe si dhe bëri një përmbledhje të takimeve të saj në Londër. “Nga vizita në këtë Parlament vij me dy përshtypje të rëndësishme: E para, ne si shqiptarë, në një periudhë shumë të shkurtër 17-vjeçare të pluralizmit politik, kemi bërë shumë edhe në termat e demokracisë, pluralizmit, të të drejtave të njeriut, të proceseve integruese. Kjo arritje është shumë e konsiderueshme krahasuar me vende të tjera që kanë një histori të gjatë të parlamentarizmit”, - tha Topalli. Gjet kësaj vizite, Topalli ktheu vëmendjen nga realiteti shqiptar, duke marrë shkas se një deputet anglez u arrestua ditët e fundit dhe kryetarja e Kuvendit ishte e pranishme në Parlamentin britanik ku u diskutua për këtë çështje. “Deputetët anglezë nuk kanë imunitet dhe nuk i njohin vetes asnjë mbrojtje. Por, natyrisht kjo heqje e mburojës së imunitetit vlen dhe për gjyqtarët dhe për prokurorët”, - tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›