E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Qeveria të indeksojë çmimet

 

Muajt e fundit çmimet e materialeve të ndërtimit kanë pësuar rritje. Një rritje e tillë ka ndikuar negativisht në kompanitë e ndërtimit, të cilat i kanë kërkuar qeverisë që të kryejë indeksimin e çmimeve. Në rast të kundërt, shumë projekte të infrastrukturës rrezikojnë që të mos përfundojnë në afatet e përcaktuara më parë. Deklarata është bërë nga vetë përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi. Sipas tij, firmat e ndërtimit që punojnë në infrastrukturë rrezikojnë të mos i realizojnë punimet brenda afateve të parashikuara në kontratë. Shkak është rritja e çmimeve të lëndëve të para, kryesisht naftës, hekurit dhe bitumit dhe mosindeksimi i tyre nga qeveria. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë INSTAT publikoi koston e ndërtimit për 3-mujorin e dytë të vitit, e cila kishte pësuar rritje. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend, shkak për këtë është rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Në tremujorin e dytë të 2008-ës, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.3 për qind, duke shënuar një rritje 0.8 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Sipas INSTAT-it, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje 1.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është rritur 1.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet “Shpenzime materiale” prej 1.4 për qind dhe “Shpenzime për paga” prej 0.3 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›