E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama dogji fondet për të pastrehët



PD-ja fajëson Edi Ramën se për qëllime klanore ka paralizuar investime të ndryshme në Tiranë dhe e bën atë përgjegjës për djegien e fondit të bashkisë për të pastrehët. Sipas PD-së, Bashkia e Tiranës nuk ka realizuar investimet në disa zëra të qeverisjes lokale. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, informoi se gjatë vitit 2008, Bashkia e Tiranës nga rreth 3 miliardë lekë të reja të parashikuara për investime, ka arritur të investojë vetëm 1.7 miliard lekë ose 57.24%. Duke u ndalur në investimet në sektorë të veçantë, zëdhënësi Bumçi tha se në infrastrukturë ato janë realizuar në masën 59.5%, në sistemin shëndetësor në masën 38%, në shërbimet sociale, 46.1% etj. Ndërsa për sa i takon investimeve në strehim, asnjë fond i parashikuar nga ky zë nuk është realizuar, tha zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së. Bumçi përmendi se investimet në infrastrukturë janë realizuar në masën 59.5 %, çfarë do të thotë së rrugë të cilat duhet të ishin ndërtuar gjatë vitit 2008, u mungojnë qytetarëve të Tiranës ose punime të tejzgjatura, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe rritjen e pluhurit dhe ndotjes në qytet. Sipas Bumçit, investimet në sistemin shëndetësor janë realizuar në masën 38%, kurse në shërbimet sociale janë realizuar në masën 46.1%. Pajisje për çerdhe, kopshte dhe qendra sociale. “Investimet në strehim asnjë fond i parashikuar nga ky zë nuk është realizuar. Duke përfshirë këtu fondet me burim të brendshëm dhe të huaj. Çfarë emri t’i vëmë kësaj papërgjegjshmërie? Kryetari i bashkisë, z. Rama, djeg fondet për të pastrehët. Ky është modeli qeverisës “Rama” dhe ndjeshmëria e tij ndaj shtresave në nevojë”, - tha z. Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›