E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, qeveria, detyrim institucioneve që ta njohin



Qeveria detyron institucionet vendase dhe të huaja të njohin kartën e re të identitetit, ndërkohë që certifikatat do të përdoren vetëm për moshat nën 16 vjeç.

Në bazë të vendimit më të fundit, qeveria përcakton rastet kur duhet të njihen dhe të përdoren letërnjoftimet si dokument identifikimi. Sipas këtij vendimi, institucionet, publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do ta njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin, sipas modelit tashmë të kartës së re të identitetit. Certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Institucionet sipas vendimit më të ri, mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse. Në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi, si dokument identifikimi, deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore. Ndaj punonjësve të institucioneve, publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim, do të merren masa disiplinore fillimisht me gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje, gjobë në vlerën e një page dhe nëse ripërsëritet, pezullim nga detyra. Ngarkohen të gjitha institucionet e parashikuara në pikën 1 të këtij vendimi për zbatimin e vendimit. Vendimi i Këshillit të Ministrave mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 6 e 8, të ligjit nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, të pikave 4 e 5, të nenit 19, të ligjit nr. 8950, datë 10.10.2002, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar dhe të ligjit nr. 9972, datë 28.7.2008, “Për ratifikimin e kontratës koncesionare, për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të SAGEM Securite e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”.

Shtyhet afati i aplikimeve dhe sanksioneve

Qeveria shtyn afatin e aplikimit me kartat e identitetit për ata shtetas që e marrin për herë të parë këtë dokument. Afati 15 prill i caktuar për aplikim shtyhet deri më datën 30 prill. Por përmes vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave ndryshojnë edhe afatet e zbatimit të sanksioneve për ata që nuk aplikojnë brenda afateve të reja. Konkretisht, shtyrja për sanksionet, me vendimin e ri bëhet nga data 1 prill deri më 1 korrik 2009. Ndryshimet e fundit bëhen me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme: Në vendimin nr. 1, datë 7.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”. Vendimi nr. 332, datë 1.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1, datë 7.1.2009, “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, shfuqizohet. Vendimi i fundit i qeverisë gjen mbështetje tek neni 100 i Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 179, të ligjit nr. l0 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të neneve 1 e 3, pika 2, të ligjit nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë” dhe të ligjit nr. 9972, datë 28.7.2008, “Për ratifikimin e kontratës koncesionare, për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të SAGEM Securite e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”, me propozimin e zëvendëskryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›