E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, të djathtët “përballen” në Elbasan



Përveç përballjes elektorale me kundërshtarin politik, një garë e fortë në një prej qarqeve më të mëdha në vend, atë të Elbasanit, detyron të djathtët që për hir të grumbullimit të sa më shumë votave, të punojnë edhe “kundër” njëri-tjetrit. Dhe kjo garë bëhet brenda llojit. Nga koalicioni qeverisës, në këtë qark pritet të konkurrojnë disa prej figurave kryesore të së djathtës. Kjo gjë e bën edhe më interesant konkurrimin, ku secili prej kandidatëve pretendon të grumbullojë sa më shumë vota për subjektin e tij politik. Kështu, nga PD-ja përmendet emri i ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Ai do të jetë i pari në listën e demokratëve që do të konkurrojnë në Elbasan. Por një tjetër konkurrent interesant është ai i kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli. Aktualisht, ministër i Mjedisit në kabinetin “Berisha”, Xhuveli do të kryesojë listën e agrarëve në qarkun e Elbasanit. Nga republikanët, listën e kryeson kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi. Kurse një tjetër aleat i ri i PD-së është aleancisti Neritan Ceka. Edhe Ceka garon në Elbasan për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e ri të Shqipërisë që do të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kjo garë, që pritet të jetë ndër më të fortat në mbarë vendit, detyron në njëfarë mënyre që aleatët të “luftojnë” edhe kundër njëri-tjetrit, pasi ata duhet të mbledhin numrin e duhur të votave në rang partish për të siguruar të drejtën e deputetit. Por konkurrentët e mësipërm, emra mjaft të njohur brenda së djathtës dhe me një peshë në politikën në vend, do të punojnë gjithsecili më vete për veten e tij. Duket se më i sigurt në këtë rast është ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, emër me mjaft reputacion në këtë zonë, pasi prej muajsh ai drejton grupin e punës të deleguar nga kryesia e PD-së. Por edhe Xhuveli nuk mbetet keq, edhe pse origjina e tij i përket jugut të Shqipërisë. Kurse dy konkurrentët e tjerë, Neritan Ceka dhe Arian Madhi, i bashkon vendlindja, Elbasani, pikërisht në zonën e garës elektorale. Këta të fundit tashmë kanë nisur takimet me zgjedhësit, duke kërkuar votat e elbasanasve për partitë e tyre. Ndarja e re zonale parashikon 14 deputetë vetëm në qarkun e Elbasanit. Ndryshe nga aleatët, PD-ja po praktikon një formulë të re në caktimin e kandidatëve për deputetë. Listimi u referohet zonave përkatëse ku janë caktuar grupet e punës muaj më parë nga forumet e larta të PD-së. Çdo kryetar grupi do të kryesojë listën në zonën ku është caktuar dhe çdo nënkryetar do të jetë i dyti në listën e re të kandidatëve për deputetë. Ndarja sipas grupeve u bë javë më parë nga kryesia e PD-së për të ndjekur nga afër zgjedhjet brenda partisë në bazë. Koalicioni i djathtë përmes zgjedhjeve të 28 qershorit synon një mandat të ri qeverisës. PD-ja ka nënshkruar marrëveshje me disa prej partive aleate, ndërkohë që të tjera marrëveshje do të nënshkruhen gjatë ditëve në vijim. E djathta do të jetë e grumbulluar në një aleancë të përbashkët përballë opozitës së përçarë. Por mbledhja e votave me formulën e re zgjedhore “ashpërson” edhe luftën brenda llojit, pasi secila parti duhet të grumbullojë sa më shumë vota, me qëllim që të sigurojë sa më shumë deputetë në Kuvendin e ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›