“Camet”, qeveria përgënjeshtron spekulimet e Rames
Kryeministri Sali Berisha ka biseduar me kryeministrin grek Kostas Karamnalis problemin e pronave të çamëve. Media të kontrolluara nga Edi Rama dhe nën diktatin e tij kanë shpifur dhe trilluar lidhur me vizitën e Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, sikur gjoja Kryeministri Berisha nuk paska diskutuar çështjen çame. Qeveria përgënjeshtroi dje spekulimet në mediat e Ramës, duke sqaruar se Kryeministri Sali Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë, ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes hodhën poshtë si të pabaza, dezinformuese dhe dashakeqe informacionet e pasakta të botuara në një të përditshme shqiptare për gjoja “tkurrje të pozitës strategjike të shtetit shqiptar” si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve. Marrëveshja e nënshkruar dje nga ministrat e jashtëm në prani të të dy kryeministrave dhe e publikuar e plotë para pak ditësh në gazetën “standard” është realizuar në një proces negocimi të kujdesshëm, prej rreth një viti, në një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi të ndërsjallë dhe e bazuar në dëshirën e të dyja palëve për të realizuar një ndarje të drejtë të kufirit detar, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare për këtë fushë, si dhe Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (1982), në të cilën të dyja vendet janë palë. Në procesin e negocimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, matjet janë bërë me metodat shkencore më të avancuara dhe nga specialistët më të mirë të fushës. Siç është theksuar shprehimisht në tekstin e marrëveshjes, 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve, janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend. Kjo marrëveshje, tashmë pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor dypalësh, respekton në mënyrë rigoroze, të drejtë dhe të barabartë sovranitetin dhe integritetin e të dyja vendeve. Të gjitha dispozitat e parashikuara në marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, parashikimet e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, si dhe janë konform të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare në çështjet e delimitimit. Konventa për të Drejtën e Detit është baza mbi të cilën do të operojnë dy vendet tona në zbatimin e marrëveshjes. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë i konsiderojnë trillimet dhe trajtimin abuziv të çështjeve të tilla të rëndësishme si një dëshmi të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së thellë të profesionalizmit. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të gatshme të ofrojnë transparencën e nevojshme, ndërkohë që abuzime të tilla nuk i shërbejnë as informimit të drejtë të publikut shqiptar dhe as interesave të shoqërisë dhe të vendit.