E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis në Tiranë, Minarolli: Afrim i plotë me Greqinë



Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Vili Minarolli, e konsideron vizitën e Kryeministrit grek në Tiranë me datën 27 prill, si një tregues të qartë të afrimit të dy popujve. Minarolli gjykon se pa dyshim kjo vizitë, në përfundim të mandatit të parë të qeverisë, është shprehje e besimit të fqinjit tonë, anëtar i BE-së për një mandat të dytë qeverisës. Kjo vizitë afirmon përmbushjen e plotë të standardeve demokratike të qeverisë dhe shtetit shqiptar ndaj pakicave kombëtare, por është edhe shprehje e mirënjohjes të qeverisë dhe popullit grek për kontributin e emigracionit shqiptar në jetën ekonomike e sociale të Greqisë. Sipas Minarollit, vizita e Kryeministrit Karamanlis është shprehje konkrete e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve në të gjitha fushat: politike, ekonomike, kulturore, etj. Minarolli pohoi dje për “standard” se dëshirat dhe vullnetet politike të dy qeverive tona janë demonstruar në mirëkuptimet reciproke për të zgjidhur të gjitha problemet e mbetura rrugës, që asgjë, në asnjë moment të mos cenojë jo vetëm atë miqësi historike që ka lidhur dy popujt tanë, por të vendosë ura të reja të miqësisë dhe bashkëpunimit. Diplomati Vili Minarolli vuri në dukje se kjo vizitë, në këtë moment, është afirmim i plotë i mbështetjes të Greqisë për rrugën e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, është konfirmim i qëndrimit konstruktiv të shtetit shqiptar si faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ai shtoi se në të njëjtën kohë është mbështetje për qeverinë “Berisha”, për realizimin me sukses të programit të saj të integrimit në Evropë, i anëtarësimit në NATO, i reformave për demokratizimin e mëtejshëm, të reformave në fushën ekonomike, për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, për standardet e reja të shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›