E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, votim “një anëtar një votë” për kreun e Durrësit



Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Durrësit do të zhvillojë të hënën votimet për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj dege dhe strukturat drejtuese të saj. Siç njofton zyra e shtypit, në garë për kreun e LSI-së në qytetin e Durrësit janë tri kandidatura mjaft cilësore dhe që gëzojnë reputacion në këtë qytet dhe më gjerë. Sipas sekretarit politik të LSI-së në qarkun e Durrësit, z. Iljaz Labi, këto votime do të jenë të suksesshme, pasi është bërë një punë disamujore e përgjegjshme dhe me intensitet nga të gjitha strukturat e LSI-së në qytetin e Durrësit, gjë që nënkupton që nga drejtuesit e rajoneve deri tek anëtari më i ri i saj. Tri kandidaturat e propozuara nga anëtarësia për kryetar të degës së LSI-së në qytetin e Durrësit, janë këta persona: z. Vasil Ziu, lindur dhe banues në Durrës, aktualisht mjek në spitalin e Durrësit dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, znj. Mimoza Risto, Mjeshtre Sporti, aktualisht mësuese pranë gjimnazit “Gjergj Kastrioti” dhe z. Ermjon Arapi, përfaqësues i LRI-së dhe drejtues i LSI-së në rajonin nr. 5 në Durrës. Votimet do t’i përmbahen parimit statutor të LSI-së, “një anëtar një votë”, ku e gjithë anëtarësia do të ketë të drejtën të japë verdiktin e saj për kandidatin që preferon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›