E Diel, 1 Nëntor 2026

Esisc: Sistemi i ri zgjedhor favorizon PD-në dhe PS-në



Shqetësimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim se sistemi i ri zgjedhor i miratuar në bashkëpunim nga dy partitë e mëdha është në të vërtetë një sistem që favorizon ato dhe jo partitë e vogla ka gjetur më në fund dhe mbështetës ndërkombëtarë. Kryetari i Qendrës Evropiane të Inteligjencës Strategjike Dhe Sigurisë (Esisc), Claude Monequet, mbron këtë tezë në raportin e Qendrës së tij. Në raportin e shpërndarë dje nga zyra e shtypit pranë LSI-së thuhej se “afërsisht pas njëzet vjet nga rënia e komunizmit, procesi i demokratizimit të Shqipërisë është nën kërcënim. Kësaj here, paradoksalisht nga një reformë kushtetuese iniciuar nga dy partitë politike kryesore në vend, nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste”. Më tej duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, shkruhet: “Në fakt në pranverën e vitit 2008, një konsensus mes PD-së dhe PS-së – grupimet dominuese të skenës politike – lejoi Parlamentin shqiptar të adoptonte me një maxhorancë të madhe votash një seri amendamentesh, duke modifikuar Kushtetutën e vendit. Amendamenti më i rëndësishëm lidhet me transformimin e sistemit elektoral, i cili kësisoj do të favorizojë dy forcat kryesore politike në kurriz të shumë partive të vogla”. Duke mbrojtur në mënyrë të hapur të gjitha tezat që hedh sot LSI-ja. “Marrëveshja me Ramës dhe Berishës mund të shikohet në dritën e interesave reciproke ekonomike që të dy liderët ndajnë me njëri-tjetrin. Të dy ata realisht mund të marrin avantazhin e aleancës së tyre për të kaluar ligje që u shërbejnë interesave të tyre ekonomike në lidhje me projektet e ndërtimit”, - thuhet më tej në raport, ku nuk lihen pa përmendur dhe detaje të ndryshme për akuzat që sot LSI-ja u bën dy liderëve për bashkëpunime për interesa ekonomike mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›