E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula e KQZ-së, dilema e ardhshme e Reformës Zgjedhore

Gjatë kësaj jave pritet të mblidhet Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, kur pika e vetme për t’u diskutuar do të jetë formula e re e funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktualisht, me ndryshimet kushtetuese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është më një institucion kushtetues, çka nënkupton një tjetër organikë funksionimi të saj. Dilema më e madhe që do të ketë Komisioni i Reformës Zgjedhore do të jetë çështja në rast se anëtarët e KQZ-së do të jenë të pavarur apo të emëruar nga Kuvendi me pëlqimin e grupeve parlamentare. Ideja që pritet të miratohet, duket se do të jetë një KQZ me anëtarë të pavarur dhe një proces zgjedhor i cili do të administrohet më shumë falë një administrate zgjedhore. Kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, ka kërkuar një ligj të veçantë për rolin dhe funksionimin e KQZ-së, por duket se kjo çështje do të përcaktohet vetëm në Kodin Zgjedhor. Një tjetër pikë do të jetë edhe diskutimi i strukturës lokale. Sipas sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal, vendi do të ketë 12 rajone apo zona elektorale, të cilat domosdoshmërisht do të kenë nga një miniKQZ për administrimin e procesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›