E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: “Rama, mashtrues i ulët - të shtunën kam qenë në tre aktivitete në Tiranë”

08-05-2012 / Gazeta 55

Ministri i Kulturës replika me kreun e PS për gjoja incidentin në stadiumin e Peqinit

Pas akuzave të kryesocialistit, Edi Rama ndaj Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe qeverisë për gjoja incidentin e ndodhur në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Flamurtarit (1-0), ka ardhur edhe reagimi i ministrit Aldo Bumçi. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve hedh poshtë akuzat e lidershipit socialist dhe rrëzon pretendimet e tij lidhur me prezencën e ministrit Bumçi në stadiumin e Peqinit, kur luhej ndeshja Shkumbini-Flamurtari. Ministri Bumçi sqaron se të shtunën ka qenë në tre aktivitete publike në Tiranë. Ministri i Kulturës theksoi gjithashtu se “është e turpshme të shikosh kryetarin e opozitës të përfshihet personalisht në përhapjen e mashtrimeve të ulëta”. “Siç e kam deklaruar, ditën e shtunë kam qenë në tre aktivitete publike në Tiranë, festimin e ditëlindjes së Agim Krajkës në TKOB, në aktivitetin në nder të regjisorit Italian Bellochio që vizitoi Tiranën dhe në Teatrin Kombëtar për premierën “Henri VI”. Ministri nuk është fantazmë që të ketë qenë në Peqin dhe të mos e ketë parë askush!? Nuk jam shprehur për asgjë tjetër, kështu që nga e gjeti Ciu Ciu deklaratën time për fishekë manovër?! Kjo ngjarje flet shumë për Z. Rama…”- u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›