Votëbesimi, shprehje e suksesit - Tirana dhe Londra, axhendë në shërbim të qytetarëve
Lulzim Basha, letër urimi kryebashkiakut të Londrës për rizgjedhjen në detyrë, e fton në Tiranë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha i ka dërguar një letër urimi me rastin e rizgjedhjes në krye të Bashkisë së Londrës, z. Boris Johnson. Në mesazhin e tij, z.Basha vlerëson programin e kryebashkiakut Johnson, i cili sipas tij, synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, ndërsa kujtoi nisjen e një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Londrës. “I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Londrës, Kam kënaqësinë e veçantë, që në emër tim dhe të qytetarëve të Tiranës, t’ju përgëzoj për rizgjedhjen tuaj në postin e kryetarit të Bashkisë së Londrës si dhe t’ju uroj të vazhdoni me sukses realizimin e axhendës tuaj në shërbim të qytetarëve. Me votën e tyre, qytetarët londinezë votëbesuan vazhdimin e programit Tuaj për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Londrës” - u shpreh Basha. Kryebashkiaku i Tiranës i cilësoi përgatitjet e Londrës për organizimin e Lojërave Olimpike si mbresëlënëse dhe u shpreh i sigurt për suksesin e kësaj olimpiade. “Unë, gjithashtu, dua t’ju uroj suksese në organizimin e Lojërave Olimpike, të cilat do ta shndërrojnë Londrën ne kryeqendrën e botës. Përgatitjen e deritanishme janë mbresëlënëse. Unë nuk kam dyshim se qyteti juaj do të shndërrohet në shtëpinë e përkohshme të mijëra konkurrentëve dhe miliona spektatorëve që do të bëjnë Anglinë krenare këtë verë” - tha ai. Gjithashtu, Lulzim Basha në letrën e urimit drejtuar homologut të tij të Londrës, Boris Johnson shprehet se përparësi për të mbetet lidhja e urave të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Londrës. “Unë dua t’ju siguroj Ju zoti Kryetar se për mua dhe qytetin e Tiranës, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Londrën është dhe mbetet një përparësi e veçantë”- tha Basha. Në përfundim, kryebashkiaku Basha fton kryetarin e bashkisë së Londrës, për një vizitë në Tiranë. “Më lejoni gjithashtu të shpreh dëshirën time të thellë për t’ju mirëpritur në Tiranë dhe një herë t’ju uroj shumë sukses këtë verë dhe gjatë mandatit tuaj të dytë”.