E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në zgjedhjet e 2013-ës, do aplikohet numërimi elektronik, i cili shmang çdo kontestim”

08-05-2012 / Gazeta 55

Eksperti i PD, Oerd Bylykbashi: Reforma zgjedhore është drejt fundit

“Puna e komisionit të reformës zgjedhore po shkon drejt fundit”. Kështu u shpreh dje eksperti për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi. Ai thotë se në procesin e votimit ka risi që përmirësohet në mënyrë cilësore koha e votimit, ndërsa vendosja e lexuesit të dokumentit të identitetit shmang të gjithë procedurën burokratike, me të cilën votuesit janë përballur me të gjitha proceset e mëparshme zgjedhore. Gjatë një prononcimi për TV Klan, Bylykbashi thotë se, “në proceset e votimit, siç dihet, është futur pajisja, e cila regjistron automatikisht të dhënat nga dokumenti i identitetit të zgjedhësve duke shkurtuar procedurat, duke shkurtuar kohën në komisionet e qendrave të votimit, për rrjedhojë duke e bërë më të thjeshtë administrimin në atë qendër votimi dhe një ndryshim më i rëndësishme se ky është futja e numërimit elektronik ose numërimit optik të fletëve të votimit”. Për të shmangur çdo situatë të pakëndshme në zgjedhjet e ardhshme dhe në vazhdim palët kanë rënë dakord që votat të numërohen në mënyrë elektronike. “Futja e teknologjisë në procesin e numërimit bën të mundur që palët, të cilat duhet të shprehim besimin tani në miratimin e kodit dhe më pas me të njëjtin besim të japin rezultatin që do të dalë nga numërimi. Dy momentet më themelore janë heqja e komisionerëve politikë nga grupet e numërimit dhe e dyta materiali zgjedhor, e cila në fillim ishte pjesë e procesit të numërimit tashmë është rënë dakord që të jetë vetëm pjesë e një procesi ankimor në KQZ dhe duke lehtësuar numërimin, duke e bërë atë më të njëtrajtshëm, duke eliminuar fragmentimin, lodhjen tejzgjatjen dhe mundësinë për bllokim që ai krijonte gjatë numërimit në zgjedhjet e shkuara”, - tha Bylykbashi. Javën që vjen pritet të mbyllet edhe paketa e reformës zgjedhore që lidhte me procesin ankimor në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Parashikimet janë që reforma të mbyllet në mesin e muajit maj. Për Bylykbashin ky është një afat i arritshëm. “Ajo që mbetet është administrata zgjedhore, ka filluar diskutimi edhe për këtë për elementet të caktuara qoftë të niveleve të mesëm apo të ulet për administratën zgjedhore, apo dhe KQZ, si dhe kompetencat. Pra, një përmirësim apo qartësim i kompetencave, në mënyrë që të kemi një proces, i cili rrjedh pa ndalesë drejt përfundimit dhe shpalljes së rezultatit. Unë mendoj se janë të gjitha mundësitë, duke bërë propozime të arsyeshme brenda rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe pa kërkuar gjëra absurde apo ekstreme, të cilat janë politikisht të papranueshme, afati i 15 majit është i mundshëm” - tha më tej eksperti i zgjedhjeve, Oerd Bylykbashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›