E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani takon zv/komandantin e NATO-s për Evropën, Gjeneral Shirreff

08-05-2012 / Gazeta 55

Nishani: Në qershor niset misioni i dytë i policisë shqiptare në Afganistan

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani zhvilloi dje një takim me zv/komandantin e Komandës Supreme të NATO-s për Europën, Gjeneral Sir. Richard Shirreff, i cili ndodhet në vendin tonë me rastin e zhvillimit të takimit të Komandantëve të Forcave Tokësore të NATO-s. Ministri Nishani njohu Gjeneralin Shirref me angazhimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit rajonal në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ministri Nishani nënvizoi se nëpërmjet bashkëpunimit rajonal jepet një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë jo vetëm për rajonin tonë, por për të gjithë hapësirën europiane. Ministri Nishani dhe Gjenerali Shirreff diskutuan në veçanti në takim për misionet shqiptare të asistencës policore për policinë afgane. Grupi i parë i trajnuesve përfundon misionin njëvjeçar në muajin qershor, kohë në të cilën do të vendoset në Afganistan misioni i dytë prej 16 oficerësh të policisë shqiptare me mision trajnimin e policisë afgane. “Ndihemi krenarë që jemi pjesë e Aleancës, por njëkohësisht ndihemi krenarë edhe për faktin se kemi shansin të japim një kontribut të drejtpërdrejtë në misionin e NATO-s në Afganistan” - u shpreh Ministri Nishani. Zv/komandanti i Komandës Supreme të NATO-s për Europën Gjeneral Sir. Richard Shirref vlerësoi angazhimin dhe rezultatet e ushtarakëve shqiptarë në Afganistan, e njëherazi e cilësoi shumë të rëndësishëm misionin e asistencës policore shqiptare atje. “Afganistani nuk mund të jetë një vend i stabilizuar dhe i sigurt pa siguruar më parë një forcë të mirë-trajnuar policore. Shqipëria ka dhënë dhe po jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim” - u shpreh Gjenerali Shirreff. Ministri Nishani dhe Gjenerali Shirreff diskutuan në takim edhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, kundër migrimit të paligjshëm dhe kundër trafikut të narkotikëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›