Bumçi: Rama pas zgjedhjeve, si peshku pa ujë
Kandidati për deputet i qarkut Tiranë Aldo Bumçi, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike, Dega Tiranë, në një prononcim dhënë për gazetën SOT u shpreh se fushata elektorale e kësaj partie po ecën me ritmet e duhura. Bumçi deklaroi se e gjithë fushata që është bërë deri tani është bazuar tek shtrëngimi i duarve me qytetarin e thjeshtë dhe duke folur për të gjitha problemet që e shqetësojnë atë. Ai deklaroi se një punë e veçantë është bërë dhe me personat e pavendosur se cilën parti do të votojnë në 28 qershor.
Një pjesë të madhe të këtyre njerëzve kemi arritur që ti bindim me punën që ka bërë PD dhe qeveria Berisha këto katër vjet dhe se do të vazhdojmë reformat e nisura edhe në vazhdim. Nuk mund të vihet në dyshim puna që është bërë nga PD dhe qeveria Berisha. Gjatë këtij katër vjeçari ne kemi ndërtuar 660 ujësjellës në të gjithë vendin kemi ndërtuar 1012 shkolla dhe gjatë katër viteve të ardhshme neve do të ndërtojmë dhe dyfishin e shkollave, rrugëve, ujësjellësve që kemi ndërtuar gjatë katër viteve të para, u shpreh Bumçi. Gjithashtu Bumçi theksoi se e njëjta situatë është në të gjitha zonat ku janë shpërndarë dhe po punojnë të 32 kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun Tiranë. Sipas Bumçit, deri tani kjo parti dhe stafi i tij elektoral kanë gjetur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin 100 për qind të banorëve të zonës ku po zhvillojnë fushatën, dhe se të gjithë banorët pa asnjë përjashtim janë bindur, dhe të tjerët po binden dita ditës për punën serioze dhe për ndryshimin që po merr Shqipëria. Bumçi deklaroi se PD dhe qeveria Berisha ndryshe nga Partia Socialiste dhe kreu i saj Rama kanë treguar se janë një forcë politike serioze dhe se kanë sjellë ndryshimin dhe do të vazhdojnë rrugën e reformave të tyre edhe në katër vitet e ardhshme. Ndërsa për kreun Socialist Rama, Bumçi deklaroi se është e kotë të flasësh dhe të votosh një njeri i cili nuk ka guximin që ti dalë në ballë kësaj fushate elektorale, dhe se e ka humbur edhe atë pak besim që ka patur tek mbështetësit e tij. Sipas Bumçit, Edi Rama tregoi me mospjesëmarrjen e tij në garën elektorale, se është i prirur drejt pushtetit, dhe se kërkon që të vijë në postin e kryeministrit, për të përfituar akoma dhe më shumë të ardhura sepse nuk është i kënaqur vetëm me lejet e ndërtimit. Sipas tij kryesocialisti Rama nuk u fut në këto zgjedhje sepse ishte i sigurt që nuk fitonte dhe se do të humbiste postin e krye bashkiakut, por edhe në qoftë se do të fitonte nuk do të vinte për të bërë punë po për të fituar si person. Në 28 qershor Edi Rama do ta marrë vesh mirë se ka ngelur si peshku pa ujë, dhe kjo jo se e kanë tradhtuar socialistët atë, por sepse i ka tradhtuar ai simpatizantët e tij sepse tregoi edhe njëherë se ai është i prirë drejt karriges dhe jo drejt punës për përmirësimin e jetës së shqiptarëve, deklaroi gjatë fjalës së tij Bumçi.