Ndoka: Berisha dhe Rama po pengojnë ndryshimin e Shqipërisë
Krerët e Polit të Lirisë, Nard Ndoka, Aleksandër Meksi dhe Dashamir Shehi, kanë vijuar takimet e tyre elektorale në qarkun e Korçës, ku bënë dhe prezantimin e kandidatëve në këtë qark. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka theksoi se PDK dhe Poli i Lirisë vjen në këto zgjedhje si një shpresë për ndryshimin e vërtetë të Shqipërisë, për një qeverisje më të mirë, për një garanci më të madhe tek qytetaret dhe familjet shqiptare, për forcimin e institucioneve kushtetuese.
Në takimet me ju ne po gjejmë një mbështetje të madhe, jo vetëm tek qindra dhe mijëra qytetarë por edhe tek mjaft intelektualë që janë afruar koalicionit Poli i Lirisë. Ne jemi të bindur se që nga Shkodra dhe deri në Korçë, ne do të kemi përfaqësuesit tanë në parlamentin e ardhshëm, deklaroi kreu i PDK, Ndoka. Ai theksoi se Shqipëria nuk po ndryshon sepse ndryshimin e saj e pengojnë dy persona që janë dhe krerët e dy Partive të vjetra, njëri është Berisha që e ka kthyer qeverinë në shtëpinë dhe biznesin personal dhe tjetri është Rama që po bën kërdinë me lejet e ndërtimit. Gjithashtu Ndoka u shpreh sigurtë se kjo bllokadë që është vendosur nga këta dy liderë ku sipas tij janë të dalë mode, do të rrëzohet në 28 qershor nga vota e popullit shqiptar