Xhaferri dhe Babasi: Njësim pensioneve të fshatit dhe qytetit
Kandidatët për deputetë të PD-së në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferri dhe Ndriçim Babasi gjatë një takimi elektoral zhvilluar në zonën e Zall Fushë-Krujës, premtuan njësim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Xhaferri i cili është dhe kryetar i Grupit të Punës për qytetin e Durrësit para banorëve të Zallit vuri theksin tek ndryshimin që ka pësuar Shqipëria në këto katër vjet.
Në mënyrë të veçantë, Xhaferri u fokusua tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, si dhe premtimi i liberalizimit të vizave nga BE për vitin 2010, falë reformave që bëri Partia Demokratike. Pensionet në fshat ishin 3400 lekë dhe sot janë 7000 lekë por premtimet e PD-së nuk mbarojnë me kaq sepse në 2010 pensionet e fshatit do të barazohet me pensionet e qytetit ku minimalet ishin 13000 lekë, theksoi Xhaferri. Një ndryshim tjetër i madh sipas tij është edhe infrastruktura moderne në mbarë vendin, ku më e rëndësishmja ka të bëjë me rrugën kombëtare, investimi më i madh në Rruga Durrës-Kukës. Xhaferri u premtoi banorëve të kësaj zone, se qeveria e PD-së do ti mbajë të gjitha premtimet e dhëna, konkretisht në zonën e Kënetës e cila ka ndryshuar rrënjësisht përgjatë këtij mandate 4 vjeçar.