Bumçi: “Rama po manipulon Prokurorinë për çështjen ‘Basha’”
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, akuzoi dje gjatë një deklarate për shtyp, kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për manipulim të Prokurorisë për çështjen “Basha”. Ndërsa shprehu vlerësime për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës, Bumçi në emër të PD-së, u shpreh se kryetari i PS-së po bën përpjekje për të manipuluar procesin. “Pas një sërë takimesh të suksesshme të zotit Basha me drejtues të diplomacisë botërore në Bruksel, Helsinki e Oslo, Rama i përgjigjet me thirrjen e tij dëshpëruese për dorëheqje nga detyra të ministrit të Jashtëm. Me gjithë këtë qëndrim, Edi Rama, veçse faktohet si kryeprokurori politik i vendit që ka manipuluar gjer në palcë institucionin e akuzës dhe që pas dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces manipulimi, përsërit në mënyrë të përditshme kërkesën për largimin e z. Basha nga Ministria e Jashtme”, - është shprehur zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së. Ndërkohë, po dje ka reaguar edhe zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të respektojë institucionet e pavarura dhe shtetin ligjor. Bogdani, gjatë fjalës së tij, kërkoi që Rama të heqë dorë nga roli i kryehetuesit për çështjen “Basha”. “Dje dhe sot kryehetuesi politik i vendit, Rama, sulmoi gjykatat, vendimet e tyre, kancelarët, shortin elektronik dhe gjykatësit vetëm e vetëm se ata zbatojnë me korrektesë ligjin dhe shtetin ligjor të vendit. Kryetari i PS-së, dhe njëkohësisht edhe kryehetuesi politik i vendit, mund të manipulojë dhe të shndërrojë në një instrument të tij, ndonjë element të kapur nga krimi në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk mund të mposhtë ligjin dhe shtetin ligjor të këtij vendi. Rama duhet të heqë dorë nga roli i shëmtuar i kryehetuesit, se ai dhe instrumentet e tij nuk do të mund t’i fshehin me asgjë lidhjet e tyre me krimin”, - është shprehur Bogdani.
7 Dhjetor 2008