Starova mbledh kongresin e BLD-së: “Do të futemi në zgjedhje në koalicion me PD-në”
Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kongresin IV të kësaj partie, tha se BLD-ja do të futet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Demokratike. Më tej Starova vlerësoi arritjet e deritanishme e qeverisjes së të djathtëve. “Është bërë punë e madhe dhe rezultati kanë qenë zgjedhjet vendore të vitit 2007, me 127 anëtarë bashkish dhe komunash të fituara në të gjithë vendin, dyfishimi i anëtarëve të partisë dhe shtrirja në fshatra dhe komuna ku nuk ka qenë e pranishme me parë. Tashmë disa ide liberale demokrate janë kthyer në koncepte të koalicionit të djathtë, siç janë idetë e pajtimit të moralit me politikën, të rëndësisë themelore të investimeve në arsim, të lehtësimit të procedurave për biznesin shqiptar, të modernizimit të administratës publike etj.”, - është shprehur Starova. Ai ka shtuar se BLD-ja ka burime njerëzore të pasura, që kanë ditur me përkushtim të japin ndihmesën e tyre në qeverisjen qendrore dhe vendore, duke bërë që BLD-ja të jetë më ambicioze në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Demokratike.
Myqerem Tafaj: “Asnjë program doktorate nuk është i bllokuar”
“Asnjë program doktorate nuk është i bllokuar. Sistemi i vjetër i doktoratës vazhdon të zbatohet deri në përfundimin e doktoratave të nisura, ndërkohë ka filluar shkolla e re e doktoraturës sipas Sistemit të Bolonjës”. Kështu ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp këshilltari për Arsimin i kryeministrit, Myqerem Tafaj. Sipas këtij të fundit, arsimi shqiptar ka njohur një reformë të thellë gjatë tre viteve qeverisje të maxhorancës së djathtë. Duke folur për reformën e thellë në Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Tafaj tha se ajo ka hyrë në fazën kulmore të zbatimit të saj. Sipas tij, për herë të parë nga kjo qeveri, si dhe në bazë të ligjit të ri të Arsimit të Lartë kanë filluar të zbatohen plotësisht ciklet ose nivelet e studimeve në përputhje me Sistemin e Bolonjës.
6 Dhjetor 2008