E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri dosjet e nxehta që “kanosin” fajtorët në prag të fushatës

Të tria çështjet implikojnë zyrtarë të lartë të qeverisë. “Makthi” nga dosjet në vigjiljen e fushatës elektorale

Lorenc Vangjeli

Janë të paktën tri dosjet kryesore, të cilat po hetohen nga Prokuroria: tragjedia e Gërdecit, skandali i rrugës “Durrës – Kukës” dhe dosja “Fazlliç”. Varësisht fatit të tyre dhe vendimeve të pritshme të gjykatës, ato mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatën elektorale, që është në prag. Përkitja e periudhave me muajt e nxehtë të verës së ardhshme bën që palët të mbajnë frymën: nuk bëhet më fjalë për fajësi apo pafajësi individësh, ministra apo ish-ministra, por për votën e nesërme. Kjo është lufta që të gjithë e nënkuptojnë, por askush nuk e përmend.
Basha
Rreth mesditës të së mërkurës, prokurori i çështjes “Durrës – Kukës”, Arben Kraja, u ngjit në katin e katërt të Prokurorisë së Përgjithshme dhe hyri në zyrën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale, prokurori Zamir Shtylla. Të dy së bashku nënshkruan një letër me adresë marrësi Gjykatën e Tiranës, në të cilën 24 orë më pas, organi i akuzës do të vihej nën “akuzë”. Në gjykatë ajo mbërriti rreth orës 15:00. Po rreth kësaj ore, me burim nga gjykata, media mundi të marrë njoftim për atë çfarë kishte ndodhur. Të dy prokurorët i kërkonin gjykatës shpalljen e moskompetencës së saj për të shqyrtuar “sherrin” e Prokurorisë me të akuzuarin kryesor të saj, ministrin e Jashtëm Lulzim Basha. Ministri Basha kishte kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së aktit zyrtar që e konsideronte dhe e shpallte atë të pandehur për shpërdorim detyre. Një bast që shorti elektronik apo fati njerëzor e përcaktoi që ta ndajë gjykatësja Fatmira Hajdari, bashkëshorte e deputetit të ndjerë demokrat, Azem Hajdari. Kjo gjyqtare e morri te enjten vendimin e saj: Gjykata e Tiranës do të ketë të drejtën për të gjykuar dosjen “Basha”.
Argumenti i dy prokurorëve është i thjeshtë dhe i bazuar në Kodin e Procedurës Penale. “Hetimi ndaj ministrit nuk mund të jetë kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ai mund të gjykohet vetëm në Gjykatën e Lartë”, - përkthehet pak a shumë në shqipe të thjeshtë neni përkatës i Kodit të Procedurës Penale. “Për të qenë më të qartë, është njëlloj sikur ministri i Jashtëm, nën hetim, të ankohet për një fakt të tillë në Ministrinë e Shëndetësisë apo në atë të Mjedisit. Dhe për më tepër, të presë që dikush nga këta dy ministri t´i japë leje që të mos paraqitet më në prokurori apo dhe t´i japë të drejtë”. Një gjykatës në Gjykatën e Tiranës, që nuk pranon të identifikohet me emër për shkak të detyrës, jep këtë shpjegim cinik për rastin “Basha”. “Çështja e juridiksionit është një leksion i vitit të parë në Fakultetin Juridik, çdo student për të marrë ‘pesën me shkelma’, e ka mjetin dhe shansin e fundit për të marrë provimin”, - vazhdon sërish i njëjti gjykatës, që as nuk dëshiron të japë “pse”-të e një reagimi të tillë nga ministri jurist Basha. “Kur hyn politika, unë dua të dal jashtë”, - thotë ai.
Datat fatale
Janë të paktën 3 procese hetimore në zhvillim e sipër, të cilat më shumë se individët e përfshirë në to, po i shkaktojnë andralla të mëdha vetë shumicës në pushtet. Në renditje kohore, por jo nga rëndësia, ato janë: skandali Durrës – Kukës, me të dyshuarin e madh për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë së tenderëve sa për fillim, Lulzim Bashën; tragjedia e Gërdecit me tre pista pothuaj të pavarura hetimore, tre të arrestuar dhe të dyshuar ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu; skandali i pastrimit të parave nga serbo-boshnjaku Damir Fazlliç.
Implikimet e “larta”
Në të paktën dy skandalet e fundit dalin edhe emrat e dy ministrave të tjerë, ish-të tillit Aldo Bumçi e Enkelejd Alibeajt dhe të pjesëtarëve të familjes së afërt të kryeministrit Berisha. Kurse në rastin e parë, vetë kryeministri, nëpërmjet zëdhënëses së tij, ka tentuar të mbulojë veprimtarinë e Bashës me atë të të gjithë qeverisë së drejtuar prej tij dhe për më shumë, ka shprehur qartë dhe pa ekuivok, mbështetjen e plotë për ministrin e tij të Jashtëm të ardhur nga KOP-i i dikurshëm. Po për rastin e parë çështja që në optikën e Prokurorisë konsideron fajtor Bashën, është në epilogun e saj. Që do të thotë se ajo është gati të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Pikërisht këtu zë fill dhe mbrojtja që i bëhet Lulzim Bashës. Me të gjitha gjasat, praktike dhe juridike, një proces i tillë do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të vazhdojë disa muaj të cilët njëkohësisht do të jenë edhe muajt e fushatës elektorale. Si i tillë, procesi do të jetë detyrimisht – do të shndërrohet si i tillë – si një argument i ashpër dhe arrogant nga opozita pikërisht për të dëshmuar arrogancën ndaj fondeve publike që ka shfaqur kjo shumicë gjatë qeverisjes së saj. Kjo e vërtetë e thjeshtë është ajo çka i ndruhet më së shumti shumica, e cila tashmë, përveç rritjes së retorikës së saj patriotike për rëndësinë e rrugës, si argument për pafajësinë e Bashës, po rrit në nivele të jashtëzakonshme dhe trysninë mbi Prokurorinë. “Nuk është detyra jonë të gjykojmë motivet, rruga të bëhet, por ajo duhej të bëhej me shumë më pak para, nëse i besojmë vlerësimit paraprak të ekspertizës teknike”. Juristi që konsulton juridikisht MAPO-n pohon se nga ana tjetër, edhe mburoja e vendimeve të qeverisë që Lulzim Basha vë përpara vetes, në një moment të caktuar mund të kthehet në një gur që merr tatëpjetë të tërën. Kurse një ekspert i Inxhinierisë së Ndërtimit afron dhe një detaj më shumë teknik, që nesër me siguri matematike do të shtohet në dosjen voluminoze. “Di që është bërë një akt ekspertimi për koston e rrugës dhe diferencën që konsiderohet se është paguar më shumë dhe padrejtësisht nga shteti. Por ky ekspertim nuk mund të jetë përfundimtar, sepse rruga është në dinamikë, aty vazhdohet të punohet dhe vazhdohet të paguhen punimet. Kështu që afërmendsh do të duhet dhe një akt ekspertimi i dytë për të”, - thotë ai. “Gjykata e Lartë mund ta kërkojë një gjë të tillë, riekspertimin e kostos”, - konfirmon dhe juristi anonim. Të gjitha këto hapa, normalisht e çojnë kohën e dhënies së vendimit nga kjo gjykatë në kufijtë e kohës kur shqiptarët duhet të japin me votë gjykimin dhe vendimin e tyre për ngjyrën e nesërme të qeverisjes së vendit.
Koha, armiku i madh
Pak a shumë në të njëjtat terma kohorë shtrihen dhe dy çështjet e tjera të nxehta që ka në dorë Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës, dosja e tragjedisë së Gërdecit dhe pastrimi i mundshëm i parave të Fazlliçit. Në të parën fakti që po hetohet edhe ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, nëse atij i ndryshon statusi aktual në lidhje me akuzën dhe çështja shkon në gjykatë, ai do të gjykohet po nga Gjykata e Lartë. Nuk ka asnjë informacion për ecurinë e hetimeve të kësaj dosjeje, por thuhet se, fare rastësisht është bërë dhe një zbulim që mund të shkaktojë jo pak andralla edhe për ish-zyrtarë që nuk janë nën hetim. Një nga ta është ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Thuhet se, natyrisht jo e konfirmuar, që në kohën kur SAC bëri ofertën për demontimin e fishekëve, e njëjta gjë u kërkua – paraqitja e një analize kostoje – nga ndërmarrjet ushtarake në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo kosto ishte më e ulët se ajo që afronte SAC-u amerikan dhe derivati i tij shqiptar ”Albademil” i Delijorgjit. Nuk dihet se në çfarë rrethanash, por drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve iu kërkua të ribënin sërish llogaritë e tyre dhe herën e dytë: bingo, SAC ishte më i pranueshëm nga pikëpamja ekonomike. Gafa e radhës e zyrtarëve të shtetit ishte se në materialet e dërguara për miratim në mbledhjen e qeverisë, në vend të fletës së dytë me kosto të “lartë” shqiptare ishte dërguar fleta e parë që normalisht duhet të kishte nxjerrë jashtë loje SAC-un. Gjithashtu nuk dihet dhe nuk ka nga të dihet nëse ky detaj është i përfshirë në dosjen hetimore të skandalit tragjik të Gërdecit dhe nëse janë prokurorët e çështjes në dijeni të tij.
Aktualisht janë pesë prokurorë që hetojnë këtë çështje, Kujtim Luli, Arqilea Koca, Alfred Progonati, Arben Dollapi e Sokol Stojani. Po në grup janë të përfshirë dhe 10 oficerë të seksioneve të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme. Grupi drejtohet nga Zamir Shtylla, drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale.

Marrë nga revista “MAPO”

Box
Çfarë i bashkon dosjet “Gërdeci”, “Rrëshen-Kalimash” dhe “Fazlliç”

Ajo që bashkon dosjen e rrugës me Gërdecin është dhe fakti që gjykimi i tyre mund të bëhet po në muajt e nxehtë të fushatës elektorale. Këtij fati duket se i afrohet – varësisht afateve – dosja e tretë e nxehtë e Ina Ramës, pastrimi i mundshëm i parave nga Fazlliç. Çdo hap ndaj mikut të shpallur të kryeministrit, çdo nuancë fajësie për të, qoftë dhe dërgimi i dosjes në gjyq, do të jenë një lëndë e parë e çmueshme për opozitën, e cila në harkun e pak muajve do të kërkojë pushtetin. Përfshirja ose së paku përmendja e emrit të kryeministrit në proces, apo dhe njerëzve pranë tij, do të jenë slogane dhe akuza politike ndaj shumicës së sotme, në fushatën e pritshme elektorale. Topi tashmë është lëshuar tatëpjetë dhe rrokullisja e tij është e pandalshme, të paktën ligjërisht. Të tria këto dosje janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën nga filli politik që i bashkon dhe si të tilla ato mund të ndikohen, por dhe të ndikojnë në një mënyrë jashtëzakonisht të fortë, nga zhvillimet e mëpasshme politike. Ajo çka mund të thuhet që sot me siguri është që e nesërmja e ngjyrave në qeverisje do të ketë dhe grinë e nesërme të proceseve të mëdha, ku shpresohet të jepet përgjigje për pyetjet se cilët janë fajtorë se janë vrarë njerëz në Gërdec, se janë grabitur fonde publike në rrugën “Durrës – Kukës” apo se ndoshta janë pastruar para nga Fazlliçi.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›