Si do të ndahet fondi prej 500 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve
Eljona Ballhysa
Në datën 3 dhjetor ka përfunduar afati për dorëzimin e kërkesës për kompensim financiar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga ana e ish-pronarëve. Drejtues të kësaj agjencie kanë bërë të ditur se janë regjistruar 750 kërkesa për kompensim financiar nga ish-pronarët në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për të realizuar procesin e kompensimit financiar për këtë vit është 500 milionë lekë. Drejtues të Agjencisë bëjnë të ditur se edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, do të ndiqet metoda e renditjes kronologjike të vendimeve për kompensim për të realizuar këtë proces. Fondi prej 500 milionë lekësh bëhet e ditur se do të shpërndahet brenda këtij muaji.
Shpërndarja
Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të pronarëve, për të realizuar procesin e kompensimit financiar, bazohet në Vendimin nr.1343, datë 04.06.2008, të Këshillit të Ministrave. Në vendimin e qeverisë parashikohet që të përfitojnë për vitin 2008 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë do të kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim. Kompensimi do të realizohet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës. Pronarët që janë përfshirë në procesin e kompensimit kanë paraqitur në dosjen e tyre: deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me plan-vendosjen përkatëse, dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Bashkë me këto dokumente është e nevojshme paraqitja edhe e një fotokopjeje të noterizuar të pasaportës, certifikatës së lindjes, ose letërnjoftimit të personit që ka prokurën e përfaqësimit, si dhe mandatpagesën. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale.
Verifikimi
Pas marrjes së dosjes me dokumentacionin e mësipërm zyra e Agjencisë së Pronave në qendër bashkëpunon me zyrat rajonale të saj në rrethe për të verifikuar dosjen e dorëzuar nga ish-pronari. Më tej zyra rajonale e pronave verifikon dosjen dhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar.
Kjo zyrë ka të drejtë të kërkojë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 ditëve, të konfirmojnë të dhënat për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit. Po kështu verifikohet dhe ndryshimi i gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës. Verifikohet regjistrimi dhe ushtrimi i së drejtës së parablerjes. Verifikohen në database të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të tij. Kryhen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Në procesverbal përcaktohet vendndodhja në hartë e pronës dhe përcaktohen bashkë me pronarin 200 metra katrorë të kësaj prone për të cilën ky pronar do të marrë kompensim financiar dhe ish-pronari nënshkruan për pjesën e tokës që do kompensohet. Më pas llogaritet vlera e sipërfaqes, që kompensohet dhe përgatitet një relacion shpjegues. Më pas, i gjithë ky material, shqyrtohet nga Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër, e cila përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës dhe nxjerr vendimin për kompensim ose jo të subjektit të shpronësuar. Zyra e Qendrore e Agjencisë së Pronave në përfundim i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore dhe shpall listën e subjekteve fituese. Në përfundim AKKP-ja kryen veprimet me Thesarin dhe Bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit.
Të dhëna
500 milionë lekë është fondi për kompensim financiar për vitin 2008
3 nëntor deri më 3 dhjetor, është afati për të paraqitur kërkesën për kompensim
750 ish-pronarë kanë paraqitur kërkesë
Pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 metra katrorë
AKKP-ja bën verifikimin e dokumentacionit
Kompensimi fizik
Përveç kompensimit financiar, paralelisht Agjencia e Pronave po punon dhe me procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. Do të jetë pikërisht kompensimi fizik që do të mundësojë procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Aktualisht qeveria ka miratuar një fond tokash bujqësore që do të shpërndahen për të kompensuar ish-pronarët. Agjencia e Pronave është duke punuar për verifikimin e parcelave për të bërë të mundur regjistrimin e tyre si pasuri shtetërore në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe pastaj është shpërndarja që kërkon një vendim nga Këshilli i Ministrave për procedurat e shpërndarjes së atij fondi të kompensimit fizik, që do të jenë tokat bujqësore. Afati për përfundimin e procesit të kompensimit financiar apo fizik të ish-pronarëve në ligj është parashikuar viti 2014. Përgjatë tre viteve të qeverisjes së demokratëve qeveria ka akorduar një fond prej 1.5 miliardë lekësh. Në vitin 2005 qeveria miratoi një fond prej 200 milionë lekësh, në 2006-n një fond prej 300 milionë lekësh, në vitin 2007, 500 milionë lekë dhe në vitin 2008 një fond prej 500 milionë lekësh. Vitin e ardhshëm pritet që fondi të jetë më i lartë për shkak dhe të parave që do të mblidhen nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale.
7 Dhjetor 2008