E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toçi: Dorëheqja e Ramës mund të kërkohet pas certifikimit të rezultatit

Me humbjen historike të së majtës, kryetari i Partisë Socialiste tashmë duhet të japë dorëheqjen si shkaku i vetëm i kësaj humbjeje. Por, aktualisht ai vazhdon të drejtë këtë forcë politike, pavarësisht çarjes që ka krijuar në selinë rozë. Në lidhje me dorëheqjen e tij, deputeti i ri i PS, i zgjedhur në qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi ka deklaruar se ende nuk mund të flitet për një dorëheqje Ramës, pasi nuk ka mbaruar procesi zgjedhor. Sipas tij dorëheqja e një kryetari partie nuk varet vetëm nga dëshira e disa personave për ta larguar atë, por varet nga statusi brenda partisë, gjithashtu dhe nga analiza e ftohtë që duhet bërë për shkaqet të cilat e çuan atë në opozitë. Ai tha se nuk mundet kurrsesi që ti bëhet një analizë gjendjes së pozitës në të cilën ndodhet kryesocialistit Rama, sepse akoma nuk është dhënë rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Dorëheqja e kryetarit të partisë nuk mund të vijë vetëm sepse disa faktorë të jashtëm mund ta kërkojnë atë, por duhet të vijë vetëm atëherë ku i bëhet një logjikë e ftohtë humbjes së partisë. Në këtë rast nuk është konfirmuar akoma humbja e PS, sepse KQZ nuk e ka dhënë akoma verdiktin final, nënvizoi Toçi. Në lidhje me kodin zgjedhor, Toçi theksoi se ai ishte një kod që u kontestua shumë nga partitë e vogla. Në këtë drejtim, ai pranoi faktin se ky kod ka nevojë që të rishikohet, sepse sipas tij u bë një ndarje shumë e padrejtë mandatesh, ku partia më e votuar mori më pak mandate. Duke u ndalur tek koalicioni Meta-Berisha, Toçi tha se PS, i ruhej ndjeshëm LSI-së, prandaj dhe iu ruajt koalicionit me të para zgjedhjeve, ku sipas tij thirrja e Ramës, se vota për LSI është votë për Berishën u vërtetua. Ajo që PS i ruhej më shumë se votat e LSI-së do ti bashkoheshin PD-së, ndodhi realisht dhe u vërtetua ajo që tha lideri i Partisë Socialiste Edi Rama, se vota për Metën është një votë për Berishën, u shpreh Toçi. Sipas tij, PS i ka lënë një derë hapur gjithmonë LSI-së për bashkëpunim, por ka qenë kjo e fundit që nuk ka pranuar, sepse kërkonte që me një forcë të vogël të bëhej protagoniste në të majtën shqiptare, dhe kreu i saj Meta donte që të ishte ai kryeministri i vendit në rast se do të fitoheshin zgjedhjet nga e majta. Ai e quajti tradhti të idealeve të majta veprimin e LSI-së dhe të liderit të saj Meta, që sipas tij i dha një zhgënjim të madh të votuesve të majtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›