E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSV91: Veprimi politik i PSV91, pjesë e koalicionit Aleanca Socialiste për Integrim

Partia Socialiste e Vërtetë 91 ka zhvilluar dje mbledhjen e Kryesisë me kandidatët kryesorë të qarqeve për të diskutuar lidhur me situatën politike para dhe paszgjedhore. Kryetari i PSV91, z. Petro Koçi, duke analizuar rezultatin zgjedhor të arritur nga kjo forcë politike pohoi se nuk u arritën objektivat e përcaktuara për këto zgjedhje. Lidhur me rezultatin e PSV91 në këto zgjedhje, Koçi bëri përgjegjës dy aktorët kryesorë të politikës, kreun e PS, Edi Rama dhe kreun e PD, Sali Berisha. Sipas tij, krerët e dy partive më të mëdha në vend, Rama dhe Berisha kanë shkelur hapur standardet e zgjedhjeve. Standardet e këtyre zgjedhjeve u vlerësuan si të cënuara rëndë në integritetin e tyre, jo vetëm nga z. Koçi por nga të gjithë pjesëmarrësit. Këta të fundit sollën madje dhe fakte të vjedhjes së votës së PSV91 nga komisionerët e PS. Në këtë takim u diskutua gjerësisht pozicioni që duhet të mbajë PSV91 në realitetin e ri të krijuar në kuadrin e marrëveshjes PD-LSI. Ky veprim politik i LSI, u konsiderua si një veprim racional në realitetin e krijuar paszgjedhor, i cili do ti shërbejë stabilitetit dhe integrimit të vendit. Kryesia vendosi të mirëkuptojë vendimin e LSI, dhe veprimin e saj politik në të ardhmen do ta zhvillojë në kuadrin e koalicionit Aleanca Socialiste për Integrim. Në këtë mbledhje, kryetari i PSV91, z. Petro Koçi paraqiti dorëheqjen e tij e cila nuk u pranua nga kryesia. Kjo e fundit vendosi që një vendimmarrje për këtë problem ta marrë kongresi i ardhshëm i PSV91. Koçi është i pari kryetar partie në bllokun e majtë që jep dorëheqjen pas humbjes në këto zgjedhje. Sipas tij dorëheqja nga posti i kryetarit të partisë është një veprim simbolik, i cili bëhet për të treguar se në Shqipëri nuk votohen programet dhe idetë, por votohet më i forti. Në 28 qershor, shqiptarët votuan vetëm për dy individë që përdhosën kodin zgjedhor, edhe pse asnjëri apo as tjetri nuk morën maxhorancën absolute, deklaroi Koçi. Ai shtoi se dorëheqja nga posti i kryetarit të partisë, është një akt politik normal që duhet bërë pasi humb zgjedhjet, ku sipas tij ky veprim nuk duhet të jetë pjesë vetëm e PSV91, por duhet të ndiqet nga të gjitha partitë të cilat dështuan në këto zgjedhje. Koçi deklaroi se ky veprim duhet bërë edhe nga vetë atë të cilët ju bashkëngjitën kodit elektoral, duke shtuar se ata duhet ta kishin dhënë dorëheqjen menjëherë, dhe duhet të ishin të parët, sepse janë përgjegjës të humbjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›