E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon skema e Ramës me kandidatët për deputetë, për të mos dhënë dorëheqjen

Me një plan të kurdisur prej tij në intrigë të plotë, kryesocialisti Edi Rama ka tentuar dje të testojë situatën rreth postit si kryetar partie, nga i cili pritet të shkarkohet në mungesë të dorëheqjes së tij të shumëkërkuar nga vetë socialistët. Me pretekstin se do të analizohej situata zgjedhore dhe ajo paszgjedhore, Rama mblodhi dje 140 kandidatët për deputetë në rrethe, disa prej të cilëve ai i kishte instruktuar që të flisnin kundër dorëheqjes së tij. Kandidatët e mësuar nga kreu socialist, do ta proklamonin atë si një lider të cilin elektorati i majtë e do ende në drejtimin e PS. Më të spikaturat në këtë inskenim të turpshëm u dalluan Rudina Seseri dhe Lindita Nikolla. Megjithatë, pakti i fshehtë mes Ramës, Seserit, Nikollës dhe personazheve të tjerë episodikë, nuk ka shpëtuar pa u kuptuar nga kandidatët e tjerë socialistë, të cilët tashmë nuk kanë asnjë dyshim se Rama është një dështak që luajti keq me emrin e tyre, por edhe me vetë PS. E megjithëse edhe vetë e ka kuptuar prej kohësh që është shkaktari i vetëm i humbjes historike të së majtës, ai jo vetëm që nuk gjen guximin ta pranojë një fakt të tillë, por madje me paturpësinë më të madhe vazhdon prej ditësh të justifikohet me disa kuti votimi në Fier, të cilat ende nuk dihet nëse vërtetë do të nxirrnin një kandidat të PS, apo jo. Një tjetër justifikim, i Ramës gjatë këtyre ditëve ka spikatur edhe ai kundrejt koalicionit LSI-PD për qeverisni e ardhshme. Megjithëse një situatë e tillë u diktua nga vetë politika monstruoze e Ramës, ky i fundit tashmë nuk e pranon si një faktor stabilizues situatën politike dhe ekonomike të vendit. Duke qenë se nuk i besohet më asnjë lloj roli brenda PS, Rama ka menduar të luajë justifikuesin edhe për pak kohë, deri në përzënien e tij nga selia rozë.           
PS paralajmëron përshkallëzim protestash
Por veç qëllimit parësor për të forcuar qëndrimet pro tij në drejtimin e PS, në takimin e mbajtur me dyer të mbyllura në një prej hoteleve në qendër të Tiranës, Rama u ka kërkuar kandidatëve për deputetë nëpër rrethe që të mbledhin informacione në zonat ku janë përfaqësuar në lidhje me dëmin që i kanë sjellë partisë manipulimet e bëra gjatë procesit zgjedhor. Këto informacione pretendohet ti shërbejnë PS për të faktuar manipulimet, me qëllim kontestimin më pas të rezultatit përfundimtar të shpallur nga KQZ. Përfaqësuesit e PS kanë diskutuar gjerësisht për situatën dhe qëndrimin e mbajtur nga Komisioni Qendror Zgjedhor për qarkun e Beratit dhe qarkun e Fierit. Në këtë pikë, socialistët kanë theksuar se nuk do të njohin rezultatin nëse nuk hiqet dorë nga manipulimi dhe përpjekja për të ndryshuar rezultatin në dëm të Partisë Socialiste. Madje disa elementë të PS, kanë shkuar më tej me vendimin për të mos u ulur në karriget e parlamentit, nëse nuk do të marrin deputetin e Fierit. Për këtë çështje, e cila është ngritur si kauzë nga PS në këto zgjedhje, kanë qenë Erjon Braçe, Tom Doshi dhe Gramoz Ruçi kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të mos hyrë në parlament, pa deputetin e 9-të të Fierit. Vendimi i tyre ka arritur deri në kërcënim për përshkallëzim protestash. Kështu, duke përforcuar qëndrimin publik të Ruçit pak orë para mbledhjes, socialistët vendosën që të ashpërsojnë qëndrimin në mbrojtje të votës, që sipas tyre është duke u grabitur nga Partia Demokratike, si shembulli tipik i përpjekjeve të demokratëve për të krijuar mazhorancë duke manipuluar procesin e numërimit të votave. Destabilimi i situatës në vend dhe mospranimi i zgjedhjeve mbetet arma e fundit e PS dhe kreut të saj Edi Rama për të justifikuar humbjen e madhe në zgjedhjet e bëra pak ditë më parë.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›