E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i “Gani Bobit”, Tiranën e fiton PD-ja



Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, qarkun kryesor të vendit, Tirana, e cila ka 32 mandate deputetësh, do ta fitonte Partia Demokratike. Instituti “Gani Bobi” paraqiti dje sondazhin e radhës së realizuar në Tiranë, ku PD-ja është në avantazh ndaj PS-së. Sipas të dhënave të këtij sondazhi, Partia Demokratike do të zinte vendin e parë në zgjedhje me 47 për qind, e ndjekur nga PS-ja me 44.2 për qind, pra 2.8 për qind më shumë. Shifrat e tjera tregojnë se LSI-ja është vetëm 3.9 për qind në Tiranë, si forcë e tretë. Ndërkaq, forca tjetër, aleate e PS-së, G99, ka një rezultat të ulët prej 1.5 për qind, një shifër e cila mund të mos çojë në Kuvend këtë forcë politike. Sondazhi tregon se partitë e vogla të djathta janë më të votuara në Tiranë se ato të majta. Kështu, të gjitha partitë e vogla të djathta marrin 2.9 për qind në Tiranë, ndërsa ato të majta vetëm 0.5 për qind.

Mandatet

Sondazhi i “Gani Bobit” nuk ka llogaritur ndarjen në mandate, por duke iu referuar mënyrës së ndarjes së tyre, duket se PD-ja me këtë përqindje do të garantonte 16 mandate në mënyrë të sigurt. Referuar formulës së ndarjes së mandateve, PD-ja merr mandatin e parë në listë për shkak se renditet e para dhe sipas formulës ndarëse, rezultati final mund të shkojë 17 me 15 për PD-në. Referuar sistemit, duke marrë për bazë këtë përqindje nga sondazhi, PD-ja do të garantonte 16 mandate, ndërsa mandatin e 17-të do ta kishte në dyshim.

Por në fakt, referuar Kodit Zgjedhor, me këtë përqindje, LSI-ja mund të mos përfaqësohet në Kuvend. Kodi Zgjedhor përcakton se pragu ligjor për koalicionet është 5 për qind. Kjo do të thotë se me këtë përqindje aktuale prej 3.9 për qind, LSI-ja nuk futet në tabelën e ndarjes së mandateve për shkak se nuk ka plotësuar pragun ligjor. E njëjta gjë vlen për koalicionin “Poli i Lirisë”. Të gjitha partitë e vogla të djathta, sipas këtij sondazhi, marrin të gjitha së bashku 2.9 për qind, çka bën që ky koalicion të mos përfaqësohet. Duhet minimalisht në çdo qark, për çdo koalicion, që të marrë mbi 5 për qind të votave që llogariten për ndarjen e mandateve. Edhe në rast se një koalicion, si ai i LSI-së apo ai “Polit të Lirisë”, marrin qoftë edhe një votë më pak për të përmbushur 5-përqindëshin, nuk do të përfitojnë asnjë mandat deputeti.

Referuar ligjit zgjedhor, 3.9-përqindëshi i LSI-së në Tiranë dhe i partive të tjera të djathta, nuk llogariten. Automatikisht, duke iu referuar ndarjes së mandateve sipas formulës D’Hond, PD-ja mund të marrë edhe më shumë se 16 mandate në Tiranë, gjithnjë duke iu referuar kësaj përqindjeje.

Sondazhi për Tiranën

PD 47%

PS 44.2%

LSI 3.9%

G99 1.5%

Partitë e vogla

të majta 0.5%

Partitë e vogla

të djathta 2.9%

Shorti, ndarja e partive për anëtarët e numërimit të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje procedurën e hedhjes së shortit për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupit të numërimit të votave. Kodi Zgjedhor parashikon që një grup që numëron votat do të përbehet nga 4 persona. 1 anëtar do të jetë i PD-së, njëri i PS-së, ndërsa dy hidhen në short ku ndahen mes partive parlamentare të tjera. Kështu, një anëtar do të përfitojë me short një parti parlamentare e vogël nga opozita dhe një parti parlamentare e vogël nga mazhoranca. Duke iu referuar koalicioneve të regjistruara në KQZ, ky i fundit bëri ndarjen mes partive opozitare dhe atyre në qytet. Në radhët e mazhorancës përfshihen në short Partia Republikane, agraro-ambientalistët dhe Aleanca Demokratike, ndërsa nga opozita Partia Socialdemokrate, Demokracia Sociale, Lëvizja Socialiste për Integrim, Demokristianët dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Tri partitë e para në koalicionin e djathtë do të garojnë me short se cila e merr një anëtar në grupin e numërimit të votave. Nga ana tjetër, 5 partitë e tjera opozitare do të garojnë për anëtarin tjetër. Nisur nga ndarja, tri partitë e koalicionit të djathtë, PR, PAD dhe PAA, kanë më shumë shanse se ato të majta për të fituar me short një anëtar në numërimin e votave. Opozita në komision kundërshtoi vendimin që, sipas saj, redukton mundësinë e të gjitha subjekteve të majta për të pasur anëtarin e 3-të dhe të 4-t në numërimin e votave. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës në komision thanë se kjo ndarje u bë sipas propozimit të vetë opozitës, bërë disa mbledhje më parë, ku u kërkua ndarja e spektrit të partive sipas koalicioneve aktuale.

Sondazhi, 78% e qytetarëve do të shkojnë në zgjedhje

Në zgjedhjet e ardhme parlamentare pritet të ketë një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve shqiptarë. Një sondazh i realizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve në muajin prill, ku u intervistuan direkt 1200 qytetarë, tregon se 78 për qind e tyre kanë vendosur të votojnë. “Në këtë sondazh, të kryer nga ana e ZMQ-së, bie në sy se 78% e atyre që janë pyetur, do të marrin pjesë në zgjedhje, pra do të votojnë. Në këtë rast vihet re një pjesëmarrje e kënaqshme e shqiptarëve në zgjedhje”, - tha Endrit Shabani, i cili paraqiti rezultatet e sondazhit. Nga ana tjetër, 11 për qind nuk kanë vendosur në rast se do të votojnë, ndërsa 11 për qind nuk do të votojnë. Qytetarët e intervistuar janë pyetur gjithashtu dhe për arsyet e votës së tyre, ku 25 për qind votojnë për traditë, 21 për qind votojnë për partitë dhe 14 për qind për kryetarët e partive. “Duke u munduar t’u bëjmë një interpretim këtyre shifrave, del se 60 për qind e të intervistuarve e kanë vendosur se për kë do të votojnë, pavarësisht nga emrat e kandidatëve në listat e partive”, - tha Endrit Shabani. Logoja e partive dhe emri i kryetarëve mbizotëron në bindjen e shqiptarëve për të votuar. Sipas këtij sondazhi, qytetarët kanë mungesa njohurie për sistemin e ri zgjedhor, pasi 82 për qind e të anketuarve nuk e dinë se çfarë sistemi elektoral zbatohet në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›