PDK në zgjedhje, PD e rreshton majtas
Me ndryshimet e djeshme, grupet e numërimit ka shumë gjasa që, në shumë raste, të kenë një përbërje 3 anëtarë të djathtë dhe 1 të majtë.
TIRANË- Megjithëse njihet publikisht si një forcë e qendrës së djathtë, Partia Demokristiane, e kryesuar nga Nard Ndoka, konsiderohet nga anëtarët e djathtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si një parti e spektrit të majtë.
Nuk bëhet fjalë për një pohim të ndonjë anëtari të këtij institucioni, por për thelbin e një vendimi që ka marrë dje ky komision me forcën e kartonëve të djathtë, për ta përfshirë PDK-në në radhët e forcave opozitare parlamentare që kanë të drejtë të marrin pjesë në shorteun për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupit të numërimit të votave.
Kjo ka sjellë jo pak debate në mbledhjen e djeshme, pasi dy palët, të majtët dhe të djathtët, kanë sjellë në diskutim argumente të ndryshme.
Të majtët dhe vetë përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Dhimitër Muslia, në diskutimin e tyre i janë përmbajtur strikt logjikës së programit që përfaqëson kjo forcë, si dhe marrëveshjes politike që ajo ka bërë menjëherë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 me Partinë Demokratike për të qeverisur së bashku për gjatë katër viteve që po lëmë pas.
Madje, sipas Muslias është skandaloz fakti që, PDK-ja, një forcë më e djathtë edhe se vetë e djathta që qeveris sot vendin, konsiderohet një parti e spektrit të majtë, për sa kohë në thelb të programit të saj mbetet çështje thellësisht të djathta, si pronat dhe të përndjekurit.
"Ne kemi një marrëveshje qeverisëse me PD-në, e cila edhe sot e kësaj dite është në fuqi për sa kohë nuk është rrëzuar nga asnjëra palë.
Madje, më duhet të them se ende në qeverinë "Berisha" është zëvendësministri i Jashtëm Anton Gurakuqi, i cili është emëruar në bazë të kësaj marrëveshjeje si përfaqësues i PDK-së", - tha Muslia.
Por, anëtarët dhe përfaqësuesit e PD-së në këtë komision, e kanë mbështetur vendimin e tyre në një shkresë të datës 22 prill, që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka dërguar nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm KQZ-së, ku evidenton vetëm forcat qeverisëse që janë sot në qeveri, por duke lënë jashtë këtij grupimi PDK-në.
Pavarësisht dallimeve, KQZ-ja ka miratuar me 4 vota pro nga të djathtët dhe 3 kundër nga të majtët, që PDK-ja të jetë në vazon e forcave opozitare.
Akoma më absurd ka qenë argumenti që ka sjellë Kuvendi në rastin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që drejtohet nga Vangjel Dule, për të cilën në dy shkresa të ndryshme jep dy vlerësime të ndryshme.
Kështu, në shkresën e datës 22 prill e ka konsideruar atë forcë të spektrit të djathtë qeverisës, por ka ndryshuar mendim gati një muaj më pas, ku me shkresën e datës 19 maj e konsideron atë një forcë të spektrit të majtë opozitar.
Ky ndryshim ndodhi pikërisht se, PBDNJ-ja, vetëm dy 4 ditë më parë kishte vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të kandidonte me koalicionin e majtë.
Sipas Kuvendit, kriteri mbi të cilin është bërë ky vlerësim është thjesht pjesëmarrja ose jo në kabinetin qeveritar, duke arsyetuar se në rregulloren e Kuvendit nuk parashikohet deklarimi i përkatësisë apo ndonjë formë tjetër identifikimi i deputetëve apo grupeve parlamentare.
Bazuar pikërisht në këtë logjikë, edhe këtë forcë KQZ-ja e ka votuar si forcë të spektrit të majtë opozitar.
Pavarësisht se në pamje të parë mund të duket si një konstatim jo tepër i rëndësishëm, ai pritet të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në procesin e numërimit të votave, pasi grupet e numërimit ka shumë gjasa që në shumë raste të kenë një përbërje 3 anëtarë të djathtë dhe 1 të majtë.