E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: “Misioni im mbaroi këtu”

Autori i Lajmit: red.
Ish-kryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe njëkohësisht sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, thekson se askush nuk i ka marrë kompetencat për sa i përket reformës. Ai pohon për “Ballkan” se detyra e tij ishte hartimi i draftit të Reformës Zgjedhore dhe pas përfundimit të këtij misioni, detyra kalon tek sekretari për Kordinimin dhe Çështjet Ligjore. Madje, Islami pohoi se Partia Socialiste, ndryshe nga Partia Demokratike, ka dy sekretarë dhe për pasojë dhe kompetencat e tyre janë të ndara. Lidhur me afatin kohor të përcaktuar nga Parlamenti për komisionin e Kodit Elektoral, Islami pohoi se për sa kohë që ka vullnet politik kjo reformë mund të përfundohet brenda çdo afati. Por sipas tij, nëse mungon vullneti, nuk do të mjaftonte as një vit për Reformën Zgjedhore. Pak muaj më parë përfundoi mandati i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, i cili nuk arriti asnjë përfundim konkret për këtë çëshjte.
Deklarata
“Nuk është çështje kompetencash. Tashmë Xhafa është për çështjet ligjore dhe gjithë çështjet e draftimit të ligjeve i ka ai. Kështu i kemi ndarë detyrat. Unë isha për konceptimin e platformës”, - tha dje Islami. Ai sqaroi më tej se tashmë do të angazhohet në ngritjen e gjithë dimensionit elektoral të partisë, proces që fillon në shtator. Deputeti socialist pohon se PS, ndryshe nga PD, ka dy sekretarë: njëri që merret me çështjet ligjore dhe tjetri me Reformën Zgjedhore. “Unë konceptova sistemin dhe mbaroi detyra ime, tani me çështjet juridike do të merret sekretari i Çështjeve Ligjeve dhe nuk ka marrje apo dhënie kompetencash”, - theksoi ai. Prej disa javësh gjithë kompetencat dhe detyrat për Reformën Zgjedhore kanë kaluar tek sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, i cili ësht zgjedhur dhe bashkëkryetar për Reformën Zgjedhore.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur vendosmërinë që në komisionin për Kodin Zgjedhor të parashikohet dhe votimi i emigrantëve. Kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se forca në të cilën ai aderon e ka hedhur këtë ide që në vitin 2004. “Kjo do të jetë një nga çështjet prioritare të LSI-së dhe që nesër ne do të paraqesim një draft të shkruar me të gjitha propozimet konkrete që do të vijnë nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, - tha Haxhinasto. Sipas tij, vetëm në rast se emigrantët do të kenë të drejtën e votës, çdo qeveri që do të vijë në Tiranë do të jetë e interesuar të përkujdeset siç duhet, të kryejë detyrimet e saj kushtetuese ndaj 1/3-ës së shqiptarëve. Sipas kreut të KDK-së së LSI-së, ata që kanë detyrime të parealizuara ndaj emigrantëve, sigurisht nuk duan që ata të votojnë. Por sipas tij, emigrantët nuk kanë nevojë më për demagogji, por për veprim konkret.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›