Bumçi dhe Shehu: Akuzat e opozitës, të pabaza
TIRANË - Deputetët e mazhorancës i kanë cilësuar të pabaza dhe të pacaktuara akuzat e opozitës për përfshirjen në korrupsion të qeveritarëve të lartë. Në një dekltaratë të tij deputeti i PD Aldo Bumçi i bëri thirrje opozitës të mos përdorë institucionet e vendit për politikë.
“Rama mund të organizojë mitingje për të shpallur të vdekur të vrarë qytetarë që kanë vdekur në aksidente automobilistike. Mund të urdhërojë mediat që kontrollon për të shpallur të arrestuar të lirë të rajonin dhe të kontinentit, por nuk mund të përdor institucionet e një vendi të lirë për tu çliruar nga ankthet dhe mankthet që ja nxijnë shpirtin çdo ditë. Rruga Durrës-Kukës është kryevepra e shekullit ajo po përparton cdo ditë dhe do të përfundojë në afatin e parashikuar”, tha Bumçi.
Ndërkohë edhe deputeti i PDR Tritan Shehu ka shprehur se opozita duhet ti drejtohet organeve të drejtësisë për të faktuar akuzat e tyre. “Unë i ftoj ata të cilët hedhin në erë akuza pa themel pa kolona nëse duan me të vërtetë ti shërbejnë luftës kundër korrupsionit ti drejtohen organeve të drejtësisë”, tha Shehu. Gjithashtu ai akuzoi opozitën për përpjekje për të interferuar dhe për të penguar punën e organeve të drejtësisë.
“Këto dy elementë unë i bazoj në tendencat dhe në një veprimtari e cila kërkon të shpërndajë në të gjithë vendin akuza të pabaza të pafaktuara të përgjithshme të cilat realizojnë vetëm një qëllim, pengojnë luftën e vërtetë kundër korrupsionit, pengojnë goditjen e vërtetë të krimit dhe të veprimeve të paligjshme”, përfundoi Shehu.
(a.s/News24/Balkanweb)