E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë në Tetovë



Laureat i Çmimit letrar “Naim Frashëri” të edicionit XII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" është poeti i njohur maroken Abdellatif Laabi, i cili prej kohësh jeton në ekzil në Paris. Me këtë verdikt ka dalë para disa kohësh juria e Festivalit e përbërë nga kryetari Agron Tufa dhe anëtarët e tjerë Drazhen Katunariç (Kroaci) e Remzi Salihu (Maqedoni). Në këtë edicion, Festivali do ta shpallë laureatin e sivjetshëm Abdellatif Laabi, si Anëtar Nderi. Laureatë të mëparshëm të këtij çmimi të rëndësishëm për letërsinë janë emra të njohur si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Peter Poulsen (Danimarkë), Fatos Arapi, etj. Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, do të mbahet në datat 23–26 tetor në qytetin e Tetovës. Sa i përket autorit fitues, Abdellatif Laabi, ai është poet i shquar i letërsisë bashkëkohore marokene si dhe i asaj frankofone të periudhës pas pavarësisë, por edhe njëra ndër figurat më të mëdha letrare të shekullit XX në Magreb. Laabi ka punuar si redaktor letrar nëpër periodike të ndryshme, ndërkohë që në vitin 1972 është arrestuar në vendin e tij ku u torturua dhe u burgos për “delikte opinioni”. Më pas, i adoptuar si i burgosur i ndërgjegjes nga Amnesty International, poeti maroken u nderua me Çmimin e Lirisë, nga PEN klubi francez, dhe Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë nga Fondacioni i Arteve në Roterdam, derisa ai ishte ende në burg. Në vitin 1980 do të dalë nga burgu dhe do të transferohet në Francë, ku pas tetë vitesh qëndrim do të shpallet anëtar i Akademisë MALARME, për të vijuar më tej me çmimin Alan Bosqe për tërësinë e veprës, Çmimin e Afrikës Mesdhetare, Çmimin e poezise Valon-Bruksel, etj. Labi ka shqyrtuar me çiltërsi dhe me depërtim të madh historik dilemën e marrëdhënies midis intelektualit dhe shtetit, një dilemë me të cilën ballafaqohen të gjithë shkrimtarët nga shoqëri të varfra dhe despotike dhe që shpesh shmanget ose minimizohet. Duke polemizuar vazhdimisht rolin e shkrimtarit, vepra e Laabit ka mbajtur lart mundësinë e shfaqjes së një zëri pa kompromise letrare në Magrev. Shkrimtari Tufa, në cilësinë e kryetarit të jurisë së festivalit është shprehur paraprakisht se ky çmim i jepet autorit përrezistencën e rrënjeve shpirtërore kundrejt entropisë dhe shpërbërjes, për pastrimin dhe rikthimin e nostalgjisë së çiltër mbi mitet e humbura të identitetit dhe zanafillës, për detajin fantazmogorik që feks në kujtesën dhe përditshmërinë tonë, për vegimet sureale mbi sendet dhe dukuritë në vetëdijen e traumatizuar të njeriut bashkëkohor, për metafizikën e konfliktit me mitet e kohës, gjuhës, prejardhjes, traditës dhe historisë, për harmoninë e fjalës poetike me imazhin mediativ e filozofik, për fluturimin poetik transcendental të njeriut si frymë. Në këtë edicion kanë konfirmuar tashmë praninë e tyre 75 poetë nga 29 vende të botës si Kanada, SHBA, Kili, Japoni, Kore e Jugut, Indi, Islandë, Holandë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Gjermani, Francë, Marok, Itali, Izrael, Palestinë, Turqi, Qipro, Hungari, Kroaci, Serbi, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›