E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e braktisur makina e policit të Vlorës

Një punonjësi policie nga Vlora i është vjedhur makina në qytetin e Elbasanit dhe për "çudi" ajo është gjetur e braktisur në anë të rrugës Elbasan-Metalurgjik. Një telefonatë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit ka sinjalizuar se një makinë e dyshimtë qëndronte në anë të rrugës me motor dhe sinjalet e bllokazhit të ndezura. Kjo ka bërë që policia të niset shpejt drejt vendit të lajmëruar. Sipas burimit zyrtar, makina tip "Merceds Benz", me targa VL7862C, është gjetur e ndezur, me dyer të hapura dhe me dy gomat e para të shfryra plotësisht. Hetimet e para kanë nxjerrë se mjeti i braktisur ishte pronë e punonjësit të policisë, F.SH., 49 vjeç, punonjës në Komisariatin e Vlorës. Dy ditë më parë, polici vlonjat ka qenë mik në Elbasan, ku i është vjedhur makina. Mendohet se ekspertët kriminalë kanë rënë në gjurmët e autorit, prandaj ai është detyruar të braktisë "prenë" e tij për të shpëtuar nga prangosja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›