E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: kandidatët e PD-së, personalitetet më të mira përfaqësuese

Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, e dorëzuar mbrëmë brenda afatit të përcaktuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u vlerësua nga Kryetari i sapo zgjedhur i Partisë Demokratike të Tiranës, Aldo Bumçi, si një listë përfaqësuese, e cila është konceptuar që të përmbajë figura, të cilat kanë patur rezultate konkrete në katër vite qeverisjeje. Gjatë një interviste, Bumçi është shprehur se PD në Tiranë dhe në të gjithë vendin, ka përzgjedhur figurat më të mira përfaqësuese, pjesa më e madhe e të cilëve janë personalitete që gjatë mandatit të parë të kësaj qeverie e kanë konkretizuar punën e tyre me vendime dhe vullnete konkrete, në një piramidë që fillon me Kryeministrin Sali Berisha, me ministra, zv/ministra, etj, duke dhënë produktin e suksesshëm në përmbushjen e reformave të qeverisë. Tirana e meritonte një listë të tillë, tha Bumçi, sipas të cilit, lista cilësore dhe gjithëpërfshirëse e kandidatëve për deputetë, po shoqërohet edhe me një fushatë zgjedhore intensive. Sipas tij, pavarësisht nga ndryshimet që ka Kodi Zgjedhor përsëri kandidatët për deputetët janë një nga shtyllat kryesore, pasi do të ketë një ndarje zonash, duke shtuar se po mbahen kontakte të drejtpërdrejta me grupe të veçanta si: ish- të përsekutuarit, ish-pronarët, mësuesit, biznesi i vogël, studentët, etj. Sipas tij, me këto grupe, përmes programit të PD-së, po evidentohen realizimet dhe objektivat e mëtejshme që PD do të përmbushë në mandatin e dytë. Bumçi theksoi se PD në këto 18 vite ka dëshmuar se është një parti e respektimit të vlerave, një fakt që u vërtetua edhe me rikthimin e figurave të njohura publike që nga 2005 . Fakti që PD i kishte dhe i ka dyert e hapura për të gjithë ata ish-themelues, anëtarë të hershëm që në një moment të caktuar u larguan dhe u ftuan sërish, është një tregues i respektimit të vlerave në PD, deklaroi Bumçi. Sipas tij, një forcë e madhe politike siç është PD, ka vend për të gjithë, ka vend për të respektuar figurat e vjetra, si dhe për të ripërtërirë vetveten me brezin e ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›