Topi çon reformat “Berisha” tek shqiptarët e Kroacisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, informon bashkësinë shqiptare në Kroaci me progresin që ka bërë Shqipëria vitet e fundit, gjë që u konkretizua me anëtarësimin në NATO dhe së shpejti në BE. Çifti presidencial priti dje në mëngjes në rezidencën shtetërore një përfaqësi të bashkësisë shqiptare në Kroaci, duke zhvilluar me ta një takim të ngrohtë e vëllazëror. Kreu i shtetit shqiptar theksoi: “Shqipëria e konsideron pakicën kombëtare shqiptare në Kroaci si një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi tradicional mes dy vendeve dhe popujve tanë”, - duke vlerësuar lart njëkohësisht kontributin që ka dhënë kjo pakicë për pavarësimin e Kroacisë dhe për demokratizimin e fuqizimin ekonomik të shoqërisë kroate. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, duke vënë në dukje faktin se Presidenti Mesiç është një avokat i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës dhe kjo është një garanci shumë e madhe për zhvillimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Kreu i shtetit theksoi rëndësinë që kanë ruajtja dhe thellimi i vlerave tradicionale shqiptare, si paqja shoqërore, harmonia dhe bashkëjetesa fetare që na karakterizojnë, ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe nëpërmjet arsimit të brezave të rinj, traditat dhe zakonet tona aq të vyera e të vjetra. Përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Kroaci, në radhët e të cilëve numëroheshin artistë, intelektualë, aktivistë të shoqatave të ndryshme, sipërmarrës, shkrimtarë, mjekë e ushtarakë, pasi shprehën ngazëllimin e tyre për këtë vizitë kaq të rëndësishme të kreut të shtetit amë, vlerësuan arritjet dhe transformimin rrënjësor të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, sidomos futjen me të drejta të plota në NATO dhe rrugëtimin e pandalshëm drejt Bashkimit Evropian.