Topi, Bebiç: Liberalizimi i vizave, zgjidhja konkrete
Presidenti Bamir Topi merr sigurinë e Kroacisë se çështja e liberalizimit të vizave do të gjejë së shpejti një zgjidhje konkrete edhe nga pala kroate. Gjatë takimit të zhvilluar dje me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, Presidentit shqiptar iu nënvizua gatishmëria e Kroacisë për të ndihmuar e mbështetur vendin tonë që t’i bashkëngjitet sa më shpejt familjes së madhe evropiane. Në këtë takim, që u mbajt në Parlamentin kroat (Sabor), Topi vlerësoi gjatë bisedës se anëtarësimi i vendeve tona në NATO konsiderohet si një ngjarje historike si për Shqipërinë, ashtu dhe për Kroacinë. “Ai është një vlerësim tepër pozitiv për ecurinë e reformave në të dy vendet dhe për kontributin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe japin për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”, - u shpreh Presidenti Topi. Duke vënë në dukje zhvillimet pozitive në Shqipëri në realizimin e reformave të rëndësishme në vend, Presidenti Topi ritheksoi vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit dhe popullit shqiptar për të realizuar aspiratën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi vlerësoi politikat e zgjerimit të BE-së, në konkretizim të aspiratave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin evropian, për të cilat shprehu besimin se do të ndryshojnë cilësisht statusin e Shqipërisë dhe të Kroacisë dhe raportet e rajonit me BE-në. “Paralelisht me synimin për liberalizimin e vizave me BE-në, ne synojmë liberalizimin e vizave brenda rajonit. Politika jonë rajonale do të vazhdojë të mbështetet në parimet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me të gjitha vendet, pa asnjë përjashtim”, - theksoi Presidenti Topi. Ndërkohë, z. Topi shprehu interesimin e palës shqiptare për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, sidomos në aspektin ekonomik, të infrastrukturës, energjitikës, turizmit etj., duke vënë në dukje faktin se Shqipëria vazhdon të jetë aktive dhe mbështet hartimin e strategjive të zhvillimit rajonal në fusha si tregtia, transporti, energjia, lufta kundër krimit të organizuar e trafiqeve ilegale, mjedisi, mediat etj. Nga ana e tij, z. Bebiç, pasi uroi edhe një herë për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, së bashku me Kroacinë në të njëjtën ditë, theksoi se takimet mes politikanësh në nivelet e larta thellojnë dhe nxisin dialogun politik dhe bashkëpunimin parlamentar, duke ndihmuar ecjen përpara në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.