E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e Spaçit, ish-të përndjekurit kujtojnë viktimat



Në ditën kombëtare të përndjekjes politike nga diktatura komuniste, që merr si shkak protestën e Spaçit, janë vetë ish-të përndjekurit politikë që kujtuan dje viktimat e saj, ndërkohë që nga Kroacia morën edhe përshëndetjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Sipas tij, dita kombëtare e përndjekjes politike nga diktatura komuniste, na kthen 36 vjet më parë, në ato ditë maji, kur të burgosurit politikë të Spaçit, u kthyen në fuqinë morale më të madhe të shqiptarëve për t’u ringritur. “Të gjithë duhet të përulemi me nderim e respekt përpara aktit të të gjithë protagonistëve të asaj sfide të hapur, në veçanti të atyre që u shndërruan në dëshmorë të saj, si Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja, në kujtim të atyre 115 të burgosurve që u riarrestuan, në kujtim të të gjithë atyre që për këtë kryengritje u dënuan së bashku me 1700 vjet burgim”, - deklaroi z. Topi. Nga ana tjetër, po dje, qytetarë të Shkodrës, drejtues dhe anëtarë të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të këtij rrethi, drejtues të qeverisjes vendore, si dhe deputetë të PD-së për Shkodrën, bënë dje homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë memorialit kushtuar viktimave të gjenocidit komunist në Varrezat e Rrmajit, aty ku sistemi komunist ekzekutoi një pjesë të madhe të figurave të shquara intelektuale dhe patriotike të qytetit të Shkodrës. Nënkryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, Rauf Uruçi, tha: "Përkujtimi i viktimave të diktaturës komuniste në një ditë të veçantë kushtuar tërësisht atyre, është një detyrim i madh moral dhe politik i ne qytetarëve dhe bashkëvuajtësve të tyre". Ndërsa, prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, u shpreh: "Me ardhjen e demokracisë, shteti dhe kombi i ka një borxh të madh të përndjekurve politikë", - duke shtuar: "Qeveria shqiptare po i shpërblen moralisht, por edhe materialisht personat që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit dhe që kanë humbur në to jetën e familjarëve të tyre". Sipas të dhënave të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, në këtë rreth, gjatë viteve të regjimit komunist, u burgosën për motive politike rreth 2846 persona, rreth 3000 të tjerë u internuan, ndërkohë që 601 prej tyre u pushkatuan nga regjimi komunist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›