E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumi në ndërtim, sektori me rritje 86 për qind

Sektori i ndërtimit, edhe pse me luhatje gjatë vitit 2007 dhe një pjese të 2008-s, vazhdon të mbetet më frytdhënëse në rritjen ekonomike të vendit. Të dhënat nga Ministria e Financave flasin për një rritje të të punësuarve në masën 86 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2008. Konkretisht, indeksi i numrit të të punësuarve, si dhe ai i fondit të pagave të paguara gjithsej ka pësuar rritje sa i takon sektorit privat. Numri i të punësuarve në sektorin e industrisë në total është rritur mesatarisht rreth 6.8 për qind kundrejt nëntë muajve të parë të vitit 2007, ndërsa fondi i pagave me rreth 19.4 për qind. Sektori i ndërtimit ka qenë sektori me performancën më të lartë gjatë këtij viti me një rritje prej rreth 86 për qind dhe kjo rritje u atribuohet në masën më të madhe investimeve publike kryesisht në infrastrukturën rrugore. Numri i të punësuarve në këtë sektor është rritur me rreth 36 për qind, ndërsa fondi i pagave ka pasur një rritje prej rreth 63 për qind. Indeksi tremujor i prodhimit, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008 ka regjistruar një rritje mesatare reale prej rreth 16.6 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi në sektorin e industrisë, gjatë kësaj periudhe nëntëmujore ka rezultuar mesatarisht rreth 32.8 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Aktivitetet e përfshira në këtë sektor, industria nxjerrëse, përpunuese dhe ajo e prodhimit të energjisë elektrike, gazit e ujit, kanë pasur një rritje mesatare në terma vjetorë respektivisht prej rreth 19, 16 e 62 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›