E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Porti i Durrësit, më i shtrenjti në rajon

Rritja e taksave portuale në Durrës ka nxitur reagimin e socialistëve, të cilët e kanë vlerësuar si një skandal të madh që rëndon mbi biznesin dhe të gjithë ata që hyjnë e dalin nga porti më i madh i vendit. Tarifat e imbarkimit për person në Bari e Ankona janë 2 euro, në Portin e Durrësit me taksat e reja pritet të shkojnë në 6 euro. Vendimi është marrë pak ditë më parë dhe rritja vjen si e papajtueshme me krizën që po kalon vendi dhe aq më shumë krizën globale e cila prej të paktën një muaji i ka dhënë pasojat e saj në veprimtarinë e reduktuar të anijeve tregtare që operojnë në portin më të madh të vendit. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e Partisë Socialiste të Durrësit kanë denoncuar këtë rritje të taksave portuale që është realizuar pa u konsultuar më parë me grupet e interesit, qofshin këta operatorë privatë vendas e të huaj apo me këshillin konsultativ të tyre. Ky vendim për rritje të taksave rëndon drejtpërdrejt në barrën fiskale të biznesit detar dhe biznesit që operon mallrat nga ky port. Njëkohësisht rrit fiktivisht edhe çmimet e biletave për të gjithë pasagjerët që kalojnë nga Porti Detar i Durrësit.

Socialistët kanë akuzuar drejtuesit e Autoritetit Portual të Durrësit, si të lidhur me klanin shtetëror e familjar të Kryeministrit në Durrës dhe që ka vendosur trefishim të taksave portuale me "të vetmin qëllim që të mbushë në mënyrë të dhunshme arkën për të zhvilluar tendera e prokurime abuzive, përfitimet e të cilave shkojnë në të ardhurat e këtij klani". Rritja ka dhënë efektet e saj, sipas deklaratës së socialistëve, pasi ka bërë që të asfiksohet edhe ai pak aktivitet ekonomik që po mbijetonte i armatorëve shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë në prag të falimentimit dhe janë detyruar të shesin a lënë në radë anijet e tyre. "Aktualisht, Porti i Durrësit, i cili është bërë çifligu detar i Kryeministrit ka taksat dhe tarifat më të larta të shërbimeve dhe pasagjerëve sesa të gjitha portet fqinje e ato të Mesdheut", thuhet në deklaratën e PS-së së Durrësit. Nëpërmjet tabelave është treguar ndryshimi i taksave jo vetëm për operatorët e anijeve dhe trageteve, por edhe ato të pasagjerëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›