E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri biznese në ndjekje penale, dëmtuan strukturat e pallateve

Bashkia e Koplikut ka dërguar për ndjekje penale 3 biznese private, të cilat për të favorizuar biznesin e tyre kishin dëmtuar katet e para të pallateve, duke bërë që pallatet në fjalë të rrezikojnë shembjen. Konkretisht, bëhet fjalë për tre pallate dykatëshe në qendër të qytetit të Koplikut, ku katet e para janë kthyer në dyqane dhe lokale. Por ideja për të krijuar sa më shumë hapësirë ka bërë që pronarët të heqin kolonat mbajtëse të pallateve. Kjo ka bërë që në katet e dyta muret të krijojnë të çara dhe pallatet të rrezikojnë të shemben. Duke parë këtë situatë, kryetari i Bashkisë së Koplikut ka urdhëruar pezullimin e të gjitha punimeve dhe rikthim të gjendjes së mëparshme të objekteve të ndërtuara. Shqetësimi për gjendjen e krijuar të pallateve ka bërë që banorët që jetojnë në këto pallate të dërgojnë disa kërkesa në disa institucione që të ndërhyhet në rrugë ligjore, pasi jeta e tyre rrezikohej seriozisht.

Nëpërmjet një komunikimi me mediat, kryetari i Bashkisë së Koplikut është shprehur se "Investimet zhvillohen në bazë të një procedure të qartë ligjore. Në rastin konkret kemi kërkuar ndërprerjen e punimeve në këto objekte, si dhe do të bëhen edhe ndërhyrjet e duhura për t‘i kthyer ashtu siç kanë qenë konstruksionet e ndërtesave. Ndërkohë, bashkia po punon me procedura të përshpejtuara për grumbullimin e plotë të dokumentacionit, me qëllim që personat përgjegjës të ndiqen penalisht nga Prokuroria e Shkodrës.

Amortizimi i pallateve në qytetin e Koplikut është në një situatë kritike. Pak muaj më parë, kryetari i Bashkisë së Koplikut urdhëroi që të hiqen të gjitha depozitat e ujit nga tarracat e pallateve, pasi pesha e tyre kishte nisur të shembte pjesë të pallateve. Tani pas peshës së depozitave të ujit, problemi ka nisur të shfaqet nga ndërhyrjet e paligjshme në katet e para.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›