Kuçovë, dy të arrestuar të tjerë për prostitucion
Rrethi personave të përfshirë në një rrjet prostitucioni në qytetin e Kuçovës është zgjeruar, duke e çuar në pesë numrin e të arrestuarve. Policia e Beratit deklaroi mbrëmjen e djeshme se tashmë operacioni me emrin e koduar "Shuarja e Meteorit" mund të konsiderohet i suksesshëm, ndërkohë që ndaj të arrestuarve është përpiluar dhe akuza. Burime të komisariatit të këtij qyteti bëjnë me dije se Salushe Subashit, 40-vjeçares nga qyteti i Kuçovës i shtohen dhe katër arrestime të tjera që lidhen me ushtrimin e prostitucionit. Mbrëmjen e djeshme policia bëri publike akuzën që rëndon ndaj gruas, e cila do të përballet sërish me drejtësinë, por këtë herë me një akuzë dhe më të rëndë atë të "shfrytëzimit të prostitucionit dhe mbajtje lokali për prostitucion të kryer në bashkëpunim". Ndërkohë që vetë e akuzuara është shprehur gjatë marrjes në pyetje se nuk kishte trafikuar askënd dhe se akuzat e ngritura ndaj saj nuk bazohen askund. Por, policia e Beratit deklaroi mbrëmjen e djeshme dhe arrestimin e Dilaver Buzit, 50 vjeç, banues në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, ai është pronari i lokalit ku dyshohet se ushtrohej prostitucion. Ai siguronte vajza të moshave të ndryshme nga fshatra të rrethit të Lushnjës dhe i shfrytëzonte si prostituta në lokalin e tij. Bashkë me të ka rënë në pranga të policisë dhe një banore tjetër e Lushnjës, e cila mësohet se kryente lidhjet me vajzat. Mirela Hime, 32 vjeçe është arrestuar mbrëmjen e së premtes, pas shoqërimit në organin blu të vajzave që punonin si prostituta në lokal. Gjatë marrjes së tyre në pyetje policia mësoi se 32-vjeçarja Hime, pasi krijonte lidhje me vajzat e reja u propozonte të punonin si prostituta në lokalin e marrë me qira nga Salushe Subashki. Në momentin që ekspertët e antitrafikut ushtruan kontroll në lokalin që ndodhet në hyrje të qytetit të Kuçovës në vendin e quajtur "Meteorë", policia arrestoi dhe dy vajza të cilat ishin në pritje të klientëve të tyre në ambientet e lokalit. Vajzat me inicialet B.S. 26 vjeçe, me banim në Durrës dhe B.P, 15 vjeçe, banuese në Kuçovë do të përballen me akuzën e "ushtrimit të prostitucionit".