E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti "sekret", qeveria pranon krizën

Qeveria pranon për herë të parë, por jo publikisht se efektet e krizës ekonomike do të jenë tepër të rënda për Shqipërinë. Nëpërmjet një raporti të publikuar nga Ministria e Financave, në disa rreshta brenda tij thuhet qartë se shqiptarët do të konsumojnë më pak para gjatë vitit 2009, duke e lidhur me pështjellimin e krizës globale. Një pjesë e familjeve parashikohet të hyjnë më thellë në krizë, nga niveli i pakët i të ardhurave, sidomos ato që mbahen nga të afërmit e tyre në emigrim. I ashtuquajtur Kuadri Makroekonomik 2010-2012, për të cilin Kryeministri Berisha hodhi poshtë disa tregues, raporti i Ministrisë së Financave jep parashikime rreth ekonomisë së vendit dhe fatit të shqiptarëve. Nisur nga treguesit në raport, parashikohet që rreth 200 mijë familje të preken nga rënia ekonomike. Këto janë familje kryesisht që mbahen më të ardhurat e emigrantëve. Nisur nga kjo, shqiptarët do të duhet të shpenzojnë më pak para se në 2008. Statistikat tregojnë se në 2009 do të shpenzohen rreth 10 miliardë dollarë ose 2 për qind më pak se mesatarja. Në 2008, konsumi final ishte rreth 9.5 miliardë dollarë, ndërsa në 2007 rreth 8.7 miliardë dollarë. Po cilat janë shkaqet e rënies së fuqisë blerëse dhe çfarë parashikon qeveria në katër vitet e ardhshme.

Shkaku

Konsumi final, për periudhën afatmesme në vijim, pra për katër vitet e ardhshme parashikohet të rritet me një ritëm mesatar prej rreth 6 për qind. Nga ky ritëm bën përjashtim viti 2009, vit në të cilin është parashikuar një rritje prej rreth 4 për qind e konsumit final. Ky ritëm më i ulët rritje për vitin 2009 është rrjedhojë e marrjes në konsideratë të efekteve që mund të ketë kriza globale në disa variabla kyçe në përcaktimin e konsumit final, e sidomos në konsumin e familjeve. Ministria e Financave veçon dy variabla përcaktues të konsumit final. "I pari lidhet me pritshmëritë jooptimiste të konsumatorëve dhe i dyti me një reduktim të mundshëm në të ardhurat e disponueshme të një pjese të konsiderueshme të familjeve, të ardhurat e të cilave varen së tepërmi nga dërgesat e emigrantëve (remitancat), variabël i cili është projektuar me një pakësim në vitin 2009 krahasuar me 2008", raporton dikasteri i drejtuar nga ministri Bode.

Rritja

Për vitin 2009 është parashikuar një rritje ekonomike në masën 6 për qind ose 1.2 për qind më pak se vitit 2008, gjithnjë nëse parashikimi për rritje 7.2 për qind do të rezultojë i vërtetë. "Situata jo e mirë ekonomike që pritet për një numër të konsiderueshëm të ekonomive më të mëdha botërore, sigurisht që përbën një risk potencial edhe për ecurinë ekonomike të vendit tonë", thotë ministria në raport. Sipas statistikave, rreth 200 mijë familje mbahen me të ardhurat e sjella nga të afërmit që punojnë jashtë vendit. Më shumë se 50 për qind e këtyre familjeve i shpenzojnë paratë për konsum të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër për biznese të vogla etj. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë flasin për një rënie të të ardhurave nga emigrantët me rreth 180 milionë euro për nëntëmujorin e parë 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›