Renditjet e gabuara që na vijnë nga një opozitë jonormale

Bataretë e propagandës enveristo-edviniste dje u përqendruan fort tek amplifikimi i një raporti të organizatës “Freedom House”, e cila ashtu si vitin e shkuar e kishte klasifikuar Shqipërinë si një vend “pjesërisht të lirë”, sa i përket respektimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Duke e kapërcyer karakterin jozyrtar të renditjes së kësaj organizate, vëmendja drejtohet kryesisht te listimi i Shqipërisë si një vend që ka probleme të forta me korrupsionin (një realitet në fakt i pranuar dhe i barabitur edhe me shumë vende më të përparuara sesa ne), probleme të thekshme me institucionet e veçanërisht me drejtësinë, si dhe me një problematikë të fortë edhe në sektorin e mediave. Po të analizohen hollë-hollë këto listime problemesh, përveç korrupsionit – karakteri i të cilit është gjithëpërfshirës dhe që i kapërcen kufijtë e një mazhorance – problemet e tjera, “të thekshme” kanë të bëjnë ekskluzivisht me opozitën e Edi Ramës. Pasi kishim vite që e kishim kapërcyer si standard, është opozita e Edi Ramës e cila u ka imponuar shqiptarëve që ta shohin vendin e tyre në listën e vendeve që e kanë parlamentin e cunguar dhe me opozitën që e ka bojkotuar atë, pavarësisht çertifikimit të zgjedhjeve nga organizmat ndërkombëtare të paracaktuara për këtë çertifikim. Bojkotimi është një matricë parademokratike e që thuajse është zhdukur krejtësisht nga fjalori i ditës i kastave politike të Parlamentit Evropian. Ai qe zhdukur edhe nga fjalori i elitës politike në Shqipëri, por e ktheu opozita e Edi Ramës, prej paaftësisë për t’u përballuar me humbjen e zgjedhjeve me 28 qershor. Prej këtij handicap-i erdhi edhe listimi i vendit në grupin e vendeve që i kanë ende institucionet të brishta, të pa konsoliduara dhe që s’marrin dot vendime reformatore që mund të kërkojë koha (Helbete, opozita refuzon që të paraqitet në sallën e seancave plenare). Edhe më e thekshme është përgjegjësia e opozitës kur vjen puna për të analizuar listimin e Shqipërisë në listën e vendeve që kanë probleme me lirinë e mediave. Tirana zyrtare përmendet vazhdimisht për një numër “incidentesh” që përfshijnë oborrin mediatik të Edi Ramës dhe që bën çmos për t’i provokuar ato përplasje, që nga refuzimi për të paguar detyrimet tatimore e deri tek zelli për t’i prekur zyrtarët e lartë shtetërorë në privacy-në e tyre. Numërimi s’ka nevojë pasi emrat gjenden që të gjithë në raportet zyrtare të “Freedom House”-it, në të dyja vitet, si në 2008-n, të riprodhuar nga nekropolitika dhe gazetari nihiliste e panikut që sponsorizon përditë zyra ideologjike e Partisë Socialiste. Listimi i Shqipërisë në grupin e vendeve me probleme përsa i përket lirisë së mediave bie ndesh me numrin rekord të të përditshmeve që botohen në vend (më i larti në Evropë) si dhe me vendimin gjithashtu të paprecedentë në Evropë të qeverisë “Berisha” për të ndaluar çdo zyrtar të administratës shtetërore që të procedojë penalisht mediat për shpifje. Këto dy normativa shumë më lart se standardet e njohura për lirinë e shtypit s’kanë peshuar shumë tek raporti i djeshëm i Freedom House, pasi një numër klishesh e kanë errësuar vlerësimin e burokratëve të organizatës. Fabrikimi i incidenteve mediatike dhe një bojkot i pakuptimtë janë mjaftueshëm dy njolla që e prishin kuadrin demokratik të Shqipërisë dhe mjaftojnë për të mos e promovuar sërish vendin në kategorinë e merituar të vendeve që janë anëtare të NATO-s (e cila nga ana e vet, ka parë përtej sipërfaqes dhe i ka certifikuar standardet tona demokratike), në kategorinë e vendeve “të lira”. Klasifikimi i djeshëm ka qenë thjesht një gabim estetik, një gabim që vjen për shkak të neglizhimit të faktit se këtu tek ne, vepron fort një opozitë apatride, e cila s’shqetësohet fare as për standardet, as për institucionet e as për lirinë e mediave. Krejt këtë numërim e shkel me këmbë sa herë t’i teket Edi Rama dhe rastet janë të panumërta. Por nga kjo përdhosje vijnë edhe gabimet “metodike” të “Freedom House” dhe të organizatave të tjera, të cilat, kur vjen rasti për Shqipërinë, harrojnë të llogarisin se këtu tek ne vepron një opozitë jonormale....