Raporti, kryeqytetasit konsumojnë më tepër dhe kanë çmimet më të larta
Ervin Koçi
Familjet shqiptare shpenzojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave të tyre mujore për t’u ushqyer. Aq e madhe është kjo domosdoshmëri sa ka bërë që në familjet shqiptare në vitet e fundit të humbasë dhe nocioni i kursimit, që mund të thuhet se për shqiptarët është kthyer në luks. Ky është përfundimi i anketës së realizuar nga Instituti i Statistikave, për buxhetin e familjeve për periudhën 2006-2007. Nga anketa ka rezultuar se një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht 17 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë për ushqime dhe pjesa tjetër për konsum jo-ushqimor. Anketa ka evidentuar gjithashtu se Tirana ka konsumin më të lartë në vlerë krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera. Një familje në kryeqytet shpenzon mesatarisht 83,800 lekë në muaj. Në një familje nga Tirana, të ardhurat nga pagat dhe pensionet janë të barabarta me shpenzimet që ato kryejnë gjatë një muaji, për të jetuar. Në familjen e përbërë prej 6 personash, fjala kursim sidomos vitin e fundit nuk mund të mendohet. Pagesat mujore për ushqim dhe energji elektrike përbëjnë shpenzimet kryesore. Kjo anketë u realizua me mbështetje financiare dhe teknike të Bankës Botërore dhe Deprtamentit për Zhvillim Ndërkombëtar, si dhe me asistencë teknike nëpërmjet specialistëve të fushës, nga Insituti Italian i Statistikave.
Konsumi në Tiranë
Anketa e Buxhetit të Familjes 2006-2007, e prezantuar nga INSTAT jep një vlerësim dhe krahasueshmëri të buxhetit të familjes shqiptare në rang prefekturash në vend, por dhe në bazë të zonave, atyre urbane dhe atyre rurale. Sipas drejtoreshës së INSTAT, Ines Nuja, në bazë të anketimit, Tirana paraqet konsumin më të lartë në vlerë, krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera. Kështu një familje e kryeqytetit rezulton të shpenzojë mesatarisht në muaj rreth 83.817 lekë. Prefekturat që paraqesin shpenzimet më të larta për konsum pas Tiranës, janë Durrësi dhe Gjirokastra, me konsum familjar përkatësisht 82.905 dhe 82.815 lekë. Ndërsa, prefekturat me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum janë ato të Dibrës dhe Beratit, përkatësisht me 51.262 dhe 54.146 lekë për familje në muaj. Nga të dhënat rezulton se kuota më e lartë e buxhetit total të familjeve për shpenzimet ushqimore, arrin në 49.5 për qind në zonën rurale, kundrejt 45.8 për qind në zonat urbane. Përsa i përket pijeve alkolike dhe duhanit, në zonën rurale shpenzimet zënë 4.9 për qind të shpenzimeve të buxhetit të familjes, kundrejt 3.8 për qind, që është në zonën urbane. Ndërsa, shpenzimet për hotele dhe restorante në zonat rurale zënë një përqindje perj 4.8 për qind, kundrejt 5.2 që është në zonat urbane. Për shërbimet e banesës, zonat urbane shpenzojnë rreth 8.2 përqind, kundrejt 6.4 në zonat rurale, për komunikim, 3.5 përqind, kundrejt 2.3 në zonat rurale, për arsim, 2.3 përqind kundrejt 1.0 përqind në zonat rurale, argëtim dhe kulturë, 3.5 përqind kundrejt 2.7 përqind në zonat rurale, si dhe mallra dhe shërbime të tjera, 6.1 përqind kundrejt 4.9 përqind në zonat rurale.
Anketa
Për herë të parë Instituti i Statistikave ka realizuar një anketë lidhur me shpenzimet mujore të një familjeje, si në fshat dhe në qytet. Në pikëpyetje është fakti se si është ky konsum në raport me ato çfarë përfitojnë, pasi familjet hezitojnë të deklarojnë të ardhurat reale. Anketimi i përket vitit 2007, dhe në raport me studimin e fundit të kryer në vitin 2000 shpenzimet e familjeve janë rritur 2,2 herë. Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjes 2006-2007, realizuar nga INSTAT mbi një kampion prej 6025 familjesh, bëjnë të mundur përshkrimin e shpenzimeve për konsum të familjeve shqiptare. Në periudhën e referencës, shpenzimet mesatare mujore të familjeve vlerësohen në shifrën 69 mijë lekë, duke pasur parasysh se një familje në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga 4 persona. Shuma totale e shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare, që vlerësohet të jenë rreth 752 mijë familje, arrin në 52 miliard lekë në muaj. Nëse konsiderojmë shpenzimet mesatare mujore për frymë në periudhën njëvjeçare të anketimit rezulton, se një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht 17 mijë lekë në muaj, nga të cilat 9 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 8 mijë lekë për konsum jo ushqimor. Ndërkohë, në bazë të rezultateve të anketimit rezulton se ushqimi (pa përfshirë këtu pijet alkolike) mbetet një element i rëndësishëm në buxhetin familjar, duke zënë 47.6 për qind të tij. Në këtë grup shpenzimet më të mëdha i zë shpenzimi për mish dhe nënprodukte të tij, që zë rreth 22.5 për qind të buxhetit brenda grupit. Peshën më të madhe të konsumit e zë ushqimi, pijet dhe veshja. Përsa i përket grupit të "pijeve alkolike dhe duhan", në familjet shqiptare rezulton të konsumohet për to rreth 4.3 përqind e buxhetit, ku vetëm duhani zë një peshë prej 50.6 për qind Brenda grupit. Konsumi në “fast food”, bare dhe restorante, përbën rreth 5 për qind të buxhetit të familjes. Por shpenzimet që kryejnë familjet shqiptare në një muaj, nuk do të ishin në të tilla nivele, po të lëmë pa marrë parasysh të ardhurat që vijnë prej emigrantëve dhe që përballojnë një pjesë të konsiderueshme të kostos bazë të jetesës.
Shpenzon më shumë kur jeton vetëm, apo kur je familjar?
Mund të mendohet se një individ që jeton i vetëm kursen më tepër se një familje normale me katër persona. Por në fakt nuk është ashtu. Sipas “Anketës së Buxhetit të Familjes 2006-2007”, prezantuar nga INSTAT, në lidhje me shpërndarjen e shpenzimeve të konsumit, sipas tipit të familjes, rezulton se “familjet e përbëra nga 1 person dhe çiftet pa fëmijë, shpenzojnë më shumë për ushqim, krahasuar me tipet e tjera të familjeve”. Gjithashtu, familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë se tipet e tjera të familjes për kujdes shëndetësor dhe për banesën, me përkatësisht 9.6 dhe 8.7 për qind. Ndërsa, shpenzimet për arsim, apo për veshje dhe këpucë, janë më të larta me familjet me 1 dhe 2 fëmijë. Po kështu, prezenca e fëmijëve sjell shpenzime më të larta në transport, komunikim, si dhe zërin “restorante dhe hotele”. Analiza e shpërndarjes së nivelit të shpenzimeve për konsum tregon që 90 për qind e familjeve shqiptare shpenzojnë mesatarsisht rreth 60 mijë lekë në muaj dhe vetëm 10 për qind e familjeve në Shqipëri shpenzojnë rreth 153 mijë lekë në muaj për familje.
17 Korrik 2008