E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga gjermane nder kampionatet me spektakolare te Europes

Mund të mos quhet më madhështori i kampionateve të futbollit në Europë, dhe kur flitet për Europën nënkuptohet e gjithë bota. Gjithsesi, vështirë se ndonjë ligë e sportit më magnetik në rruzull mund ta ketë tërheqjen e Bundesligës, këtij prodhimi tipik dhe 100 për qind gjerman, elementët përbërës të së cilit janë spektakli, edukata e jashtëzakonshme e punës, cilësia epërsisht e lartë, saktësia dhe bukuria, një bukuri që shtohet me progresion gjeometrik për shkak të standardeve të pabesueshme televizive.

Java e katërt e Bundesligës, ishte e mbushur me episode të shkëlqyer që nuk munguan të kapeshin nga kamerat e panumërta, siç ishte legjenda Franc Bekenbauer, që dukej si një njeri që kishte bërë divorc, pasi ndodhej tepër larg Bajernit të tij, ndërsa donte të ndiqte ndeshjen Frajburg-Volfsburg, duke qenë në stadium edhe trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv.

Një gol i mrekullueshëm ndriçoi këtë ndeshje, realizuar me gjysmëroveshatë nga Makiadi, ndërsa Frajburg fitoi thellësisht ndonëse pa kontributin e sulmuesit Papis Xhemba Sise, më të dashurin lojtar të tifozëve, ndërsa këta i kanë dedikuar këtë parullë që shkruan “Papis Xhemba Sise, ti je një frajburgas”.

Në Hofenhajm kemi disa grimca të tjera. i madhi basketbollist Dirk Novicki, shkon për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës, Verderin e Bremenit, që ia arrin të përmbysë rezultatin ndaj vendasve në 2-1. Shtatlarti i NBA-së përgatitet për kampionatin europian që do të zhvillohet në Lituani dhe ka nevojë edhe për pushim aktiv.

Në një ndeshje të fortë, një djalosh me mbiemrin Arnautoviç të kujton ndonjë shqiptar, nëpërmjet fjalës së turqizuar Arnaut. Por, ky Arnautoviç duket një i krishterë që beson pasi bën kryqin ndërsa shënon golin e barazimit. Duket se jo më kot e ka emrin Marko.

Pas një fitoreje të tillë, trajneri i Verderit, i vjetri dhe i qeti Tomas Shaf, reagon me një britmë të madhe çlirimi. Bremeni i tij është bashkë me Bajernin në krye të kampionatit, ashtu si dikur.

Por ekziston edhe një rini e egër në shkallët e stadiumit të Hofenahjmit. Janë disa dhjetëra të ardhur nga Bremeni që trondisin këtë pasdite të bukur gjermane, ndërsa policia mundet vetëm t’i kufizojë, pa qenë në gjendje që të ndërhyjë menjëherë.

Ky djalë simpatik është Markus Babel, trajneri i Hertës së Berlinit. Babel ka qenë lojtar shembullor i “national elfit” gjerman dhe kampion i Europës më 1996. Ai ka arritur diçka të rëndësishme këtë javë pasi Herta fitoi më në fund në fushën e saj pas 2 sezonesh dhe pas 17 ndeshjesh. Një fitore me fat, por gjithsesi fitore arritur ndaj Shtutgartit, me golin e shënuar nga Rafael vetëm 4 minuta para fundit.

Kurrë nuk kishte ndodhur që Jup Hajnkes të kishte fituar në Kaizerslautern si trajner i Bajernit. Ia arriti këtë herë, madje tepër thellë, 3-0, ndihmuar nga një personazh që pak pritej të ishte një hero i tillë, Mario Gomez. Veçse, lojtari që nuk duket aspak elegant, ishte edhe vjet shënuesi më i mirë i Bundesligës. Synon të jetë edhe këtë sezon.

Më 19 mars, ndeshja Hamburg-Këln ishte një spektakël i jashtëzakonshëm, por atëbotë ligjin e bënë vendasit. Fitorja e gjermanëve të veriut ishte e thellë, 6-2. Ndeshja e së shtunës, sërish pati jashtëzakonisht shumë emocione, pati 4 avantazhe të ndryshëm, por përfundimi ishte fitorja 4-3 e miqve nga Këlni me golin e shënuar në fund nga kanadezi Mekkena.
Një fund për infark në një javë të jashtëzakonshme që i pati të gjitha. Falë edhe mbulimit total mediatik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›