Bunjaku, i pafat

Albert Bunjakun vazhdon ta përcjellë fati i zi. Pasi e kaloi periudhën e errët të lëndimeve, sulmuesi kosovar po has në probleme të natyrës tjetër. Në ndeshjen e së mërkurës mbrëma me skuadrën amatore të Nurnbergut, ai luajti kundër Freiburgut, ku u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një gjesti josportiv.
Ai u dënua nga Federata e Futbollit e Gjermanisë (DBF) me tri ndeshje moslojë në Regionalliga. Derisa t’i kalojë ky dënim, ai nuk mund të përfshihet në skuadrën e parë, e cila garon ën Bundesligë. Andaj, rikthimi i tij në elitën e futbollit gjerman është shtyrë, këtë herë për faj të tij.
Kështu, Bunjaku do të mungojë në ndeshjen e skuadrës në Bundesliga në Koln. Pas një pauze për shkak të lëndimit, sulmuesi kosovar kishte luftuar dhe punuar fort për t’u rikthyer në skuadrën e parë. Trajneri Dieter Hecking planifikonte ta ftonte fundjavën e ardhshme, por gjithçka do të shtyhet për shkak të skuqjes së tij.
Kjo është hera e dytë që 27 vjeçari ndëshkohet me karton të kuq me skuadrën e dytë. Në pranverë, ai ishte ndëshkuar ndaj ekipit Hessen Kassel, në një ndeshje që e zhvillonte me ekipin e dytë të Nurnbergut.
Bunjaku kishte shpërthyer në debutimin e tij në Bundesligë në sezonin 2009/10, kur shënoi 12 gola dhe ishte golashënuesi më i mirë i ekipit. Sezoni i kaluar i shkoi i tëri pothuajse huq për shkak të një lëndimi të rëndë që e kishte pësuar në gju në ndeshje me Hamburgun. Ai shpreson që ky të jetë sezoni i tij, por ashtu siç ka nisur, gjërat po shkojnë ndryshe...