E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falënderon tifozët e Lazios për përkrahje

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 12:09

Lorik Cana ndihet i lumtur në Lazio. Futbollisti kosovar u prit mirë nga tifozët e klubit italian, të cilëve u është mirënjohës. Ai është i bindur se Biancocelestët do të luajnë më mirë, përkundër kritikave që mori ekipi nga kryeqyteti italian para fillimit të sezonit.
“I falënderoj tifozët lazialë për mbështetjen që ma kanë bërë gjithnjë.

U them atyre të presin para se ta gjykojnë modulin e skuadrës. Natyrisht, kjo bën pjesë në botën e futbollit, por duhet durim. Nëse ngutemi, bëjmë gabim”, deklaroi Cana për ueb faqen italiane lalaziosiamonoi.it.

Përfaqësuesi shqiptar e ka lavdëruar edhe përforcimin e verës, sulmuesin Djibril Cisse. “Lazio e re po e fillon sezonin me një sulmues të madh si Cisse. Gjatë përgatitjeve, trajneri e ka provuar në pozita tjera, duke e preferuar Klosen si qendërsulmues.

Në fillim nuk ndihej mirë, pasi që nuk ishte roli i tij natyral, por Cissen e njohim të gjithë. Është një fitues, ka dëshirë të madhe dhe menjëherë është munduar t’i përshtatet asaj që e kërkonte Reja. Ai ka shënuar 3-4 gola, e shoh mjaft të motivuar”, deklaroi Cana i cili beson se Cisse duhet të ftohet nga përfaqësuesja e Francës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›