Bunjaku, trajner i Orebros
Selektorit të përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakut i ka dalë edhe një punë. Ai të premten është emëruar trajner i skuadrës suedeze Orebro U-21.
Pas largimit katër vite më parë nga ekipi suedez Kalmar, Bunjaku është i lumtur që ka gjetur angazhim të ri te klubi i Orebros, ku do të punojë me grupmosha të reja.
“E shoh si një mundësi dhe sfidë interesante të punoj në zhvillimin e futbollistëve në nivel elitar. Kjo mundësi ishte përfekte për mua në këtë kohë dhe me jep mundësi të punoj brenda objektivave të mia personale. Kam kaluar katër vite që prej kur jam larguar nga elita e futbollit në Suedi, mirëpo kam qenë i angazhuar dhe ende mbaj postin tim si selektori i Kosovës. Ajo që më kishte munguar ishte puna e përditshme me futbollistë”, ka thënë ai për ueb faqen zyrtare të Orebros www.oskfotboll.se
Klubi suedez nëpërmjet një njoftimi ka treguar edhe disa detaje të marrëveshjes. Albert Bunjkau një herë në muaj do të ketë mundës ta vizitojë Kosovën dhe gjithashtu të jetë i lirë gjatë datave të caktuara për ndeshje ndërkombëtare me përfaqësuese.
“Nëse Kosova bëhet anëtare e UEFA’s, atëherë do të diskutojmë se si do të jetë bashkëpunimi mes Orebros dhe Kosovës. Me Orebron kemi pasur kontakte të mirë edhe në të kaluarën dhe do të jetë në një fazë interesante, ku është duke u krijuar një organizimi i ri që përfshin përqendrimin në zhvillim dhe ky është misioni im kryesor në këtë detyrë dhe me jep fuqi të jashtëzakonshme t’i kombinoj të dy pozitat”, ka theksuar Bunjaku.
Në anën tjetër, edhe zyrtarët e klubit suedez janë të kënaqur që të rinjtë e Orbros do të jenë në duar të Bunjakut.
“Alberitn e shohim si një njeri që di të formojë futbollistë. Përshtatet mirë me profilin e tij. Ka qenë me rëndësi për ne të gjejmë një trajner me përvojë në futbollin suedez, i cili e njeh punën për zhvillimin e futbollistëve të rinj. Ne besojmë se ai ka personalitetin e përshtatshëm të punojë me futbollistë të rinj”, ka thënë zyrtari i klubit suedez Lennart Sjogren.
Pjesë e skuadrës së parë të Orebros janë tre futbollistë kosovarë; Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku dhe Denis Abdullahi.