Milan merr ajkën në Kosovë
Të premten ka përfunduar edicioni i parë i Milan Junior Camp, i cili është mbajtur gjatë javës në Prishtinë. Trajnerët e gjigantit italian lavdëruan fëmijët kosovarë me të cilët kishin punuar gjatë pesë ditëve.
Nga 200 fëmijë sa ishin pjesë e këtij kampi, më së shumti u dalluan Muhamet Hyseni, Veton Lusha, Agon Hajredini, Leart Bilalli dhe Egon Zhegrova. Për këtë të fundit u tha se ishte më i mirë.
Sipas trajnerit Marko Shembri, nëse punohet me këtë talent, atëherë në të ardhmen ai do të bëhet një reprezentues i madh i Kosovës. Ai gjithashtu u sugjeroi të ‘mëdhenjve’ që t’u krijojnë kushte të vegjëlve për t’u zhvilluar, sepse, sipas tyre, Kosova ka potencial për të nxjerrë futbollistë të mirë.
Në anën tjetër, Zhegrova - i cili është pjesë e skuadrës prishtinase Flamurtari- ishte shumë i gëzuar për komplimentet që mori nga Rossonerët. “Jam shumë i gëzuar. Jam 12 vjeç dhe jam lojtar i Flamurtarit. E falënderoj trajnerin tim të Flamurtarit që më ka ndihmuar të mbërrij deri këtu. Ëndrra ime është që të bëhem si lojtari i Milanit, Pato”, tha 12 vjeçari.
Pesë fëmijët më të dalluar kosovarë të Milan Junior Camp do të udhëtojnë drejt Milanos, ku do ta përfaqësojnë Kosovën në mesin e fëmijëve tjerë nga 40 shteteve të ndryshme të botës - me shpresë që të bëhen pjesë e Akademisë së Milanit.
Ky kamp ishte hapur nga legjenda e Milanit, Franco Baresi. Ndërsa mbylljen e tij e bëri biznesmeni shqiptar Rezart Taçi, presidenti i kompanisë ‘Taçi Oil’, i cili është sponsor i rëndësishëm i AC Milanit.
Taçi, me iniciativën e të cilit Milan Junior Camp ishte instaluar në Kosovë, u prit ngrohtë nga fëmijët që kishin marrë pjesë në këtë kamp, por edhe nga prindërit e tyre.
Ai theksoi se kjo nuk është hera e fundit që AC Milan do ta instalojë Milan Junior Camp në Kosovë.
“Unë kam kontratë me Milanin, që Milan Junior Camp të mbahet për tri vite në Kosovë. Pra, do të mbahet edhe dy herë tjera, por sigurisht se do ta vazhdojmë kontratën po ashtu edhe për tri vite tjera”, tha Taçi i emocionuar nga pritja në Prishtinë.
Në edicionin e parë të Milan Junior Camp në Kosovë morën pjesë fëmijët nga 8 deri në 14 vjeç, që stërviten me ekspertë të futbollit.
Ari Desku, simpatiku i Milan Junior Camp
Përveç pesë talentëve më të mirëve të Milan Junior Camp, u zgjodh edhe lojtari më i vogël i talentuar i këtij kampi. Ai ishte Ari Desku. Gjashtëvjeçari si shpërblim mori fanellën e yllit të Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, me nënshkrimin e tij.
Taçi: Do ta sjell Milanin në Prishtinë
Rezart Taçi edhe një herë ka përsëritur se do të bëjë çmos që trofeun tashmë tradicional ‘Taçi Oil’ ta organizojë në vitin e ardhshëm në Prishtinë e jo në Tiranë, siç e organizonte viteve të kaluara, kur në kryeqytetin shqiptar e kishte zbarkuar dy herë Milanin e një herë Real Madridin.
“E di që interesimi në Kosovë është i madh që Milani ta zhvillojë një ndeshje këtu. Sipas të gjitha gjasave, trofeu i radhës ‘Taçi Oil’ nuk do të mbahet në Tiranë, por kësaj radhe në Prishtinë, meqenëse interesimi i kosovarëve është i madh. Unë do të bëj çmos që ta sjellim Milanin këtu, pasi dëshira është e madhe”, ka deklaruar Taçi.