E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg italianit të kapur me 312 kile drogë në Vlorë

13/01/2005  TIRANË- Kapen në datën 10 janar në portin e Vlorës, gjatë kontrollit të policisë me 312 kilogramë hashash dhe dje marrin masën e arrestit burg pa afat nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Masa për të pandehurit Roberto Altobeli, shtetas italian dhe dy shqiptarëve Ilia Simoni dhe Edmond Papa, shofer i maunes, u dha dje në orët e vona të pasdites. U dërguan në burg pa afat dhe, kjo masë iu komunikua nga kryetari i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni.

Akuza

Mësohet se asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, edhe pse ishin të bindur se sasia e hashashit u gjend në maunen e drejtuar nga Edmond Papa. Dy pronarët e maunes, italiani dhe Ilia Simoni, kanë pranuar se malli që gjendej brenda ishte në emër të tyre, por nuk kanë qenë dakord me akuzën e ngritur. Ata janë shprehur të habitur për ngjarjen dhe kanë bërë të paditurin në lidhje me mënyrën se si ka mbërritur sasia e hashashit në makinën tyre. Masa për tre të pandehurit u bë në seanca të veçanta. Sandër Simoni mori në pyetje një nga një të pandehurit, për të bërë të mundur vjeljen e një informacioni të saktë. Por me sa duket, të pandehurit kanë qenë në dijeni për veprimet e secilit.

Mbrojtja

Avokatët luajtën rolin e tyre, duke thënë se dikush mund të ketë futur sasinë e hashashit në mjetin e tyre. Por, Prokuroria ishte e prerë në kërkesën e saj. Sipas akuzës, në pakot e mallit të gjetura në makinë janë marrë disa gjurmë gishtash. Të gjitha provat e Prokurorisë iu servirën gjykatës, e cila vendosi të mos i lërë të lirë të pandehurit. Tani të pandehurit duhet të tregojnë se ku e kanë ngarkuar drogën dhe destinacionin e tij.

Italiani

Italiani Roberto Altobeli është shprehur se, e ka për herë të parë këtë përvojë të hidhur. Interesat e tij i pandehuri i përfaqësoi me avokat mbrojtës. Për t'i dhënë kohë akuzës të nxjerrë përfundimet e ekspertizës për gjurmët e gishtave, avokati i italianit kërkoi një masë më të butë arresti se sa ajo e burgut pa afat. Por kërkesa e të pandehurit u rrëzua nga gjykata. Akuza për tre të pandehurit është ajo e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Hashashi i gjendur në maune, pronë e të pandehurve, ishte nisur për në Itali. Por gjatë kontrollit rutinë nga policia, para se ngarkesa të futej në traget, është zbuluar droga. Në momentin e kontrollit kanë qenë edhe të pandehurit, të cilët e kanë parë sasinë e kapur. Ata janë justifikuar se nuk dinë gjë dhe se mund të jenë viktimë e ndonjë plani të pregatitur nga persona të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›