E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët shqiptarë përdorin korrierë italianë për drogën

13/01/2005  TIRANË -Autoritetet shqiptare të rendit dhe të hetimit, kanë skeduar disa raste kur trafikantët e drogës në Shqipëri përdorin shtetas italianë për të kaluar ngarkesat narkotike drejt vendit të tyre. Sipas verifikimeve që janë bërë në disa dosje trafiku, trafikantët e drogës nga Shqipëria, u kërkojnë bashkëpunëtorëve të tyre italianë të vijnë në vendin tonë dhe të marrin ngarkesat e drogës. Kjo, pasi shtetasit italianë, e kanë më të lehtë të kalojnë kontrollet në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, pasi ngjallin më pak dyshime dhe formalitetet apo masat e verifikimeve janë më të buta. Durrësi është qyteti ku zyrtarisht katër shtetas italianë janë përdorur nga trafikantët shqiptarë për lëvizjen e drogës, e cila niset nga vendi ynë drejt shtetit fqinj. Nisur nga këto raste, strukturat e antiterrorit dhe të antitrafikut shqiptar, kanë marrë një këshillim për të mbajtur nën kontroll disa të dyshuar me kombësi italiane. Ky proces, sipas burimeve hetimore, po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane.

Rastet

Historia fillon në muajin tetor të tre viteve më parë. Donato di Tano, Domeniko Vinci dhe Francesko Sabateli, janë arrestuar në datën 31 tetor 2002, sepse në lokalin e tyre policia shqiptare ka gjetur 8 kile e 280 gramë heroinë. Akuza e ngritur ndaj tre italianëve nga Prokuroria e qytetit të Durrësit, ishin trafik ndërkombëtar droge, shpërndarje lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Njëri nga të arrestuarit ndodhet në skedat e policisë italiane si anëtar i dyshuar i organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Dhe ky ishte pikërisht 29-vjeçari Donato di Tano. Prokuroria dhe hetuesit e saj mbërritën deri tek emrat e shqiptarëve që kishin bashkëpunuar me italianët, duke ua dhënë drogën atyre. Aksioni i policisë filloi pas një kontrolli në hotel “Kidi” në qytetin e Durrësit, ku policia gjeti dy pistoleta, njëra e tipit "Zastava" dhe tjetra e tipit TT dhe sasinë e heroinës.

Trafiku vazhdon...

Edhe tre vite pas aksionit të bujshëm në Durrës, policisë dhe Prokurorisë shqiptare nuk i kanë munguar shenjat e një trafiku italo-shqiptar brenda kufijve të shtetit tonë. Italiani i katërt që bashkëpunon me shqiptarët në trafik, u zbulua në datën 29 dhjetor të vitit 2004. Lodovico Salis nga rajoni i Sardenjës në Itali, u arrestua në kalatën e Portit të Durrësit, natën e 29 dhjetorit 2004. Në makinën e tij “Alfa Romeo” me targa CJ 968 BM, u gjetën katër qese me nga 600 gr., 580 gr., 580 gr. dhe 560 gr. drogë secila, të fshehura në serbatorin e makinës, e cila ishte nisur drejt bordit të tragetit “Flaminga”, që nisej nga qyteti i Durrësit drejt portit italian të Barit. Në datën 9 janar të këtij viti, numri i italianëve të kapur me drogë në vendin tonë shkoi në pesë. Roberto Altobeli, 33 vjeç, bashkëpronar i një fabrike të prodhimit të qeseve plastike, arrestohet si i dyshuar për bashkëpronësinë e 312 kileve hashash, të cilat u zbuluan në maunen e fabrikës të dielën e javës së shkuar, teksa mjeti përpiqej të nisej me traget drejt Italisë.

Hetimi, bashkëpunim

me italianët

Arrestimet e trafikantëve italianë që ka kryer policia shqiptare, nuk kanë qenë vetëm sukses. Ato kanë qenë edhe vështirësi. Shpeshherë komunikimi me të akuzuarit është i vështirë për të realizuar hetimin dhe zbardhjen e aktivitetit të të dyshuarve. Hetuesit e kanë të vështirë të marrin në pyetje shtetasit italianë, ndërsa përkthyesit nuk ofrojnë besueshmëri. Një element tjetër i vështirësisë së hetimit në këto raste, është edhe identifikimi i plotë i italianëve. Në një pjesë të mirë të rasteve, ata janë prangosur duke lëvizur dhe vepruar me dokumente dhe identitet të falsifikuar, në përpjekje për t'u fshehur nga drejtësia. Zbulimi i identitetit të këtyre personave paraqitet i vështirë për institucionet shqiptare, të cilët jo vetëm për këto raste, por edhe për çështje të tjera, kanë ndërtuar një bashkëpunim efikas dhe rezultativ me palën italiane.

Të arrestuarit

Donato di Tano

Donato di Tano, 29 vjeç, banues në komunën e Fasanos, Brindisi, akuzohet nga Prokuroria shqiptare për trafik e shitje lëndësh narkotike. Ndërkohë, Di Tano është një person i shpallur në kërkim në Itali si i dyshuar për lidhje me organizatën mafioze “Cosa Nostra”

Francesko Sabateli

Francesko Sabateli, 26 vjeç, nga Bari. Përpara arrestimit ai studionte në Itali për shkenca juridike. Sabateli vuan nga leuçemia akute, e provuar nga mjekët dhe për këtë arsye ka kërkuar disa herë të dalë nga burgu. Gjithmonë kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykata shqiptare

Domeniko Vinci

Domeniko Vinci është arrestuar së bashku me dy italianët e tjerë në lokalin “Kidi”. Ai asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat e Prokurorisë dhe ka deklaruar se në lokal ndodhej rastësisht për të takuar di Tanon, të cilin e kishte shok. Prokuroria nuk u ka besuar thënieve të tij

Lodvico Sales

Lodvico Sales nga rajoni italian i Sardenjës. Ai është arrestuar i vetëm në Portin e Durrësit me një ngarkesë droge, e cila ishte fshehur në makinën e tij. Akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kishte ardhur në Shqipëri pak ditë para arrestimit dhe kishte kryer disa takime me persona shqiptarë të dyshuar për trafik.

Roberto Altobeli

Roberto Altobeli, 33 vjeç, është arrestuar disa ditë më parë nga policia e qytetit të Vlorës, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ishte bashkëpronar i një firme të prodhimit të qeseve plastike, e cila prej gati dy vitesh kryente importin e prodhimeve të saj me Italinë. Në maunen e kësaj ndërmarrje u gjetën dhe u sekuestruan 312 kile hashash.

Dy vjet nga vrasja

e Salih Tivarit

Dy vite më parë, në 13 janar 2003, në zyrën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Salih Tivari, u gjet i vdekur, 26 minuta pasi kishte mbërtritur në punë. Hetimet e ngjarjes, flasin për dy persona të panjohur që kanë hyrë në Komunitet para vrasjes. Ata nuk janë parë të dalin nga dera e përparme e selisë së islamizmit shqiptar, ndërsa besohet se kanë dalë nga një derë e pasme. Tivari i qëllua me dy plumba, ndërsa vendi i ngjarjes u prish nga anëtarët e Komunitetit të cilët shkruan ti jepnin ndihmën e parë, Sekretarit të Përgjithshëm që fillimisht dukej se ishte sëmurë. Xhaketa e tij e mbërrthyer, i ka bërë kolegët të besojnë se Tivari kishte nevojë të shkonte në spital. Pak sekonda më pas, është zbuluar se poshtë xhaketës së mbërthyer e pa vrima plumbash, ndodheshin dy plagët vdekjeprurëse të predhave të zjarrit. Në vendin e ngjarjes, janë lënë gjurmë gishtash edhe ngë ekspertët e policisë, ndërsa xhaketa bashkë me gjurmët e vrasësve në kopsat e saj, u hoq nga vendi i ngjrjes nga një dorë e kujdesshme, për të mbërritur në Prokurori gati 20 ditë pas vrajes. Roja i Komunitetit, ka dhënë dëshmi të ndryshme në polici, Prokurori dhe në SHISH mbi identitetin e personave të panjohur që kanë hyrë atë ditë në Komunitet dhe veprinmet e tyre. Disa herë, Tivari është ndeshur me këmbënguljen e zyrtarëve kolegë të tij në kryesinë e Komunitetit, për të pranuar financime nga shoqata “Al-Haramain” e cila nuk pranonte të xhironte para në banka, por kesh. Tivari e kundërshtoi fuqimisht këtë nismë dhe nuk lejoi që para të tilla të përfundonin në arkën e Komunitetit Mysliman. Një person i dyshuar për vrasjen, ndodhet në qelitë e paraburgimit me një akuzë tjetër, ndërsa ndaj tij nuk ka shumë prova. Pistat e vrasjes ende nuk janë përcaktuar, ndërsa Prokuroria është përqënduar në hetimin e prishjes së vendit të ngjarjes. T.S.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›